Gigio Donnarumma është gati të përjetojë Kampionatin e tij të parë Europian si kapiten. Në vitin 2021 ai ngriti trofeun dhe fitoi çmimin si lojtari më i mirë i turneut, veçanërisht (por jo vetëm) për penalltitë e pritura në finalen kundër Anglisë, ato që i lejuan axurrët të triumfonin ndaj “Tre Luanëve” në “Wembley”.
Tani në Gjermani ëndërron një tjetër turne triumfal, por e di mirë që Italia nuk është favorite dhe se duke nisur nga ndeshja e nesërme në mbrëmje me Shqipërinë, rruga do të jetë përpjetë. “Kur përballeni me një kompeticion si ky, energjia vjen natyrshëm, fryma do të jetë ajo e tri viteve më parë. Le të përpiqemi të rijetojmë ato netë magjike.
Ekipi dhe unë jemi gati. Mundohem t’i këshilloj shokët e mi të skuadrës, por grupi është atje, mjaft i karikuar. Unë, Jorginho dhe Barella do t’u japim të tjerëve këshilla për të arritur deri në fund”, – tha portieri italian në konferencën për shtyp, në krah të trajnerit Spalletti, diçka më shumë se 24 orë para sfidës me kuqezinjtë e Sylvinho.
Me çfarë shpirti do ta përballoni këtë Kampionat Europian? A ndiheni si lider i kësaj skuadre?
Energjia në këto gara ju vjen natyrshëm. Ne do të përpiqemi të përsëritim ato netë magjike të vitit 2021. Unë do të përpiqem të jap gjithçka, edhe këshillat e mia, ndonëse skuadra është gati dhe nuk ka nevojë. Ata që i kanë përjetuar emocionet e herës së fundit me siguri do të mund të japin diçka më shumë.
A është kjo ndeshje më e vështirë në debutim të Europianit të Gjermanisë?
Debutimi është sigurisht sfida më tinëzare. Grupi është i vështirë, në ndeshjen ndaj Shqipërisë mund të ketë gracka. Do të duhet të qëndrojmë të fokusuar dhe në rrugën e duhur që në fillim.
Shqipëria kryesoi grupin e saj eliminator, cilat janë pikat e forta të kundërshtarit?
Për mua ata janë një ekip i shpejtë, me individë të fortë. Do të duhet të jemi të kujdesshëm që të mos e teprojmë dhe ta gjejmë veten në kundërsulm. Kompaktësia dhe ekuilibri do të nevojiten gjatë gjithë ndeshjes.
Çfarë rregullash duhet të ndiqni gjatë grumbullimit? A lejohen video-lojërat?
Nuk patën asnjë ndikim rregullat, e rëndësishme është të kemi ekuilibër. Mund të luani video-lojëra në dhomën tuaj, por e rëndësishme është të mos qëndroni vonë natën. Pas darkës, ne të gjithë rrimë në sallonin e lojërave, kalojmë kohë së bashku dhe argëtohemi. Është krijuar një grup i mirë, ato të trajnerit janë indikacione dhe këshilla.
Jeni kapiteni, sa ndryshon situata për ju?
Për mua nuk ndryshon, por sigurisht që është një përgjegjësi e shtuar. Ka disa drejtues në këtë grup, edhe unë gjithashtu. Përpiqem të jap më të mirën time. Duam të shkruajmë një faqe tjetër historie për Italinë.
A preferoni një mbrojtje me tre ose katër?
Si portier ka pak ndryshime për mua, e rëndësishme është se si e interpretoni secilin rol. Ne kemi nevojë për kompaktësi në dy fazat, por për mua nuk ndryshon gjë.
A është detyrim të fitoni ndaj Shqipërisë?
Të fitojmë nesër do të thotë të vendosim themelet drejt kualifikimit në grup. Ndeshja e parë është gjithmonë e rëndësishme. Grupi është i vështirë dhe marrja e tri pikëve mjaft e rëndësishme, përndryshe do të kishim edhe më shumë presion në dy ndeshjet e ardhshme.
Sa e rëndësishme është prania e Buffon?
Sigurisht që ndihmon shumë, na jep shumë këshilla.
Kush do të flasë me arbitrin në vendin tuaj në mes të fushës?
Do të flas pranë zonës sime, përndryshe do të vendosim se kush do të jetë në këtë rol, mes Jorginhos dhe Barellës.
A mund ta zgjidhim problemin e qendërsulmuesit me Scamacca?
Ai ka bërë përparime të mëdha kohët e fundit, ka bërë gjëra të pabesueshme. Mund të bëjë ndryshim në çdo situatë dhe është i rëndësishëm si pikë referimi.







