Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti ka shoqëruar trajnerin Silvinjo në konferencën e zakonshme për mediat në prag të ndeshjes së nesërme kundër Italisë. Gjimshiti, qe vjen si kampion Europe me Atalanta-n, fituese e Europa League, ka folur per sfiden qe e pret ekipin kuqezi ne nje skuader qe ka grumbulluar thuajse te gjithe lojtarë te nje kampionati, Serie A, qe Berati njeh mire…
“Sigurisht që janë tre ndeshje të rëndësishme dhe të vështira, por kjo me Italinë mund të jetë një ndihmë shtesë dhe mund të ndryshojë gjërat në këto grupe. Besoj që Skamakën e njoh shumë mirë, nuk kam folur nga hera e fundit që fituam Ligën e Europës, nesër është Shqipëria kundër Italisë dhe kjo është e rëndësishme.
Jemi përgatitur dhe i kemi shikuar ndeshjet e fundit të Italisë, trajneri na ka treguar kur duhet të kemi kujdes dhe sigurisht që do të jemi gati. Pra siç kemi thënë më herët kemi pasur momente pozitive dhe negative.
Është me rëndësi se si do të fillojmë këtë garë nesër duhet të jemi të motivuar për të bërë maksimumin. Trajneri ka sjell një punë të mirë, qëkur ka ardhur ai ka sjellë një hare dhe për të bërë Kombëtaren tonë edhe më të mirë, ashtu siç mund ta dini ka qenë një lojtar shumë i mirë, në kualifikime kaluam përmes një grupi të vështirë”, deklaroi Gjimshiti.
Në miqësoret e fundit Italia ka vuajtur jo pak. A është ky një kurth i tyre?
“Sigurisht që i kemi ndjekur ndeshjet e fundit të Italisë dhe trajneri na ka evidentuar forcën e tyre, ku duhet të tregojmë kujdes. Analiza nevojitet për ndeshjen e nesërme dhe besoj se jemi përgatitur mirë për të qenë gati.”
Në këtë Shqipëri, çfarë ka nga Seria A dhe futbolli italian?
“Ka shumë nga futbolli italian, pasi jo vetëm që jemi shumë futbollistë që luajmë në Itali, por edhe trajneri ka një eksperiencë të rëndësishme në Serinë A. Luajmë aty dhe njohim shumë mirë kundërshtarët tanë, por e dimë mirë që kemi përballë Italinë, kampionen në fuqi dhe që luan në të tilla kompeticione për të fituar, ndaj duhet të bëjmë kujdes.”
Shumë prej futbollistëve të Shqipërisë, janë fëmijë emigrantësh që kanë lindur dhe janë rritur në vende të tjera, por që përfaqësojnë vendin e tyre…
“E vërtetë. Shumë prej nesh jemi lindur apo rritur në vende të tjera, por jemi shqiptarë. Në shtëpitë tona flitet shqip dhe jemi rritur me dashurinë për vendin tonë. Jemi të lumtur që përfaqësojmë vendin tonë.”
Keni fituar edhe Ligën e Europës këtë sezon me Atalantën. Cilat janë njohuritë apo emocionet që keni fituar në këtë kompeticion dhe që do të donit t’i transmetonit të shokët e skuadrës?
“Triumfi në Ligën e Europës ka qenë rezultat i një procesi pune që ka nisur shumë kohë më parë. Ne jemi të përgatitur të bëjmë maksimumin për të fituar në çdo ndeshje. Jemi përgatitur të bëjmë më të mirën dhe shpresojmë që të na shkojë mirë.|
A mund të na tregoni se çfarë ka sjellë puna e trajnerit te ju?
“Puna e tij na ka përmirësuar shumë, prej më shumë se një viti që kur ka ardhur. E dimë si punon çdo ditë për të na ndihmuar. Ka qenë një futbollist i madh dhe një motivator i jashtëzakonshëm. Jemi këtu duke kaluar nëpërmjet një grupi të vështirë dhe kemi marrë shumë komplimente, jo vetëm ne, por edhe stafi e trajneri”, deklaroi Gjimshiti.







