Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë që prej vitit 2013, ka dhënë një intervistë për “Tuttosport” në kuadër të ndeshjes kundër Italisë, që do të hapë Kampionatin Europian të Gjermanisë për kombëtaren e drejtuar nga Silvinho. Një sfidë jo e parëndësishme duke pasur parasysh afërsinë gjeografike të dy vendeve.
Itali-Shqipëri, këtë herë vlen për Kampionatin Europian. Çfarë efekti ka për ju?
E pabesueshme. Do të jetë hera e parë (dhe shpresoj e fundit) në jetën time që do të uroj që Italia të mos fitojë një ndeshje në Kampionatin Europian. Në çdo rast do të isha mirë me një barazim, i cili për kuqezinjtë tanë do të ishte si një fitore. E di që barazimi me Shqipërinë do të ishte fillimi i kritikave kundër Spallettit, por, për fat të keq, nuk mund të uroj asgjë më shumë se një barazim për Italinë.
Çfarë duhet të kemi frikë nga Shqipëria? Dhe, sipas jush, si përfundon?
Duhet t’i frikësoheni epërsisë së qartë të Shqipërisë në tribuna, ku sigurisht fitojmë, frymës së hakmarrjes së djemve të Sylvinhos dhe faktit që skuadra jonë nuk ka asgjë për të humbur. Mund të përfundojë në çfarëdo mënyre, por, duke qenë se Italia pothuajse nuk shkëlqen kurrë kur fillon një turne, shpresoj për një barazim.
Si ka ndryshuar marrëdhënia mes italianëve dhe shqiptarëve në 30 vitet e fundit? Dhe si e gjykoni për momentin?
Tani jemi një popull i ndarë nga deti, por i bashkuar në çdo gjë tjetër. Ngjashëm si dy pika uji në pikat tona të forta dhe të dobëta.
Cili lojtar i kombëtares italiane do të dëshiroje t’i bashkohej ekipit shqiptar?
Donaruma, pa asnjë dyshim.
A do të shkoni në stadium, apo do ta ndiqni në televizor?
Sigurisht që do të shkoj në stadium.
A keni ndonjë ritual të veçantë kur shikoni ndeshjet e Shqipërisë?
Jo.
Cila ndeshje ju emocionoi më shumë nga ato të kombëtares?
Kjo është kombëtarja shqiptare me lojën më të mirë që mbaj mend. Grupi u kualifikua duke bërë gjithmonë futboll të mirë dhe nganjëherë lojë emocionuese.
Çfarë pritshmërie ke për atmosferën në Tiranë?
Nuk është Tirana që mezi po pret me padurim këtë Europian. Në këtë kombëtare bashkohen me Shqipërinë edhe populli i Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe shqiptarët në të gjitha pjesët e botës. Lojtari jonë i dymbëdhjetë përbëhet nga 10 milionë zemra dhe në Dortmund do të jetë një ortek kuqezi.
Nëse Shqipëria do të eliminohej nga Europiani dhe Italia do të ecte përpara, do ta mbështesnit Italinë?
Gjithmonë Italinë.
Në kombëtaren shqiptare janë 10 futbollistë që luajnë në Itali dhe tre nga katër trajnerët e fundit kanë qenë italianë. Cili është ndikimi i futbollit italian në atë shqiptar?
Me De Biasin kemi ardhur për herë të parë në Kampionatin Europian. Reja arriti një tranzicion të vështirë, por grumbulloi më shumë pikë se të gjitha edicionet e tjera kualifikuese të kombëtares shqiptare. Më mirë të mos flasim për Panuçin, por unë do t’ju them një sekret. Këshilla e një tjetër italiani të madh ndikoi në zgjedhjen e Silvinjos, Roberto Mançinit. Futbolli italian ishte parajsa jonë kur jetonim në ferrin komunist. Zërat e Sandro Kiotit dhe Bruno Pizul patën një efekt të papërshkrueshëm te ne, duke mos u ndier vetëm në këtë vrimë të zezë. Kur pamë Kupën e Botës në duart e Dino Zof, na u duk sikur ishte në duart tona.
Çfarë klisheje do të donit që italianët të fshihnin nga perceptimi i tyre ndaj shqiptarëve?
Nuk më duket se ka mbetur diçka për të fshirë. Kohët e errëta të kriminelit shqiptar tashmë janë lënë pas.
Cilin lojtar të kombëtares shqiptare do ta rekomandonit për te Juventusi?
Mario Mitaj, një mbrojtës krahu 20-vjeçar, me një këmbë të majtë të mirë.
A është më e lehtë për Juventusin të kthehet të fitojë kampionatin në Itali apo që Shqipëria të mundi Italinë?
Kjo pyetje më bën të buzëqesh… Në këtë pikë do të thosha se është më e vështirë për Juventusin të fitojë kampionatin se sa Italia t’ia lejojë vetes të mposhtet nga Shqipëria.







