Një kapiten me fat do të shijojë momentin përcaktues të karrierës, kur të ngre lart trofeun “Henri Delaunay” në “Olympiastadion” të Berlinit më 14 korrik.
Iker Casillas i Spanjës pati kënaqësinë të bëhej kapiteni i parë që e ngriti versionin e përditësuar të trofeut në fjalë në qershor 2008, sinonim i Kampionatit Europian të UEFA-s.
Versioni i dytë i trofeut bazohet në origjinalin e dizenjuar nga kompania “Arthus-Bertrand” në vitin 1960 dhe emëruar sipas Henri Delaunay, ish-president i Federatës Franceze të Futbollit (FFF) dhe sekretari i parë i përgjithshëm i UEFA-s, që nga themelimi i qeverisë europiane të futbollit më 15 qershor 1954 deri më 9 nëntor 1955.
Ky trofe është 18 cm më i lartë dhe 2 kg më i rëndë se origjinali, i bërë me argjend të pastër dhe ka ruajtur emrin e vet historik. Trofeu u rimishërua për të pasqyruar shkallën dhe madhësinë e turneut ndërkombëtar më prestigjioz të Evropës për kombëtaret.
Përgjegjësia për krijimin e trofeut origjinal shkoi te Pierre Delaunay, djali i Henri, vizionari që inicioi kompeticionin. Henri Delaunay vdiq më 1955, para se ta shihte realizimin e idesë së tij, por çmimi i përditësuar është testament i trashëgimisë së tij të qëndrueshme, duke ruajtur stilin klasik.
Dallimet e vogla midis versioneve origjinale dhe të përditësuara përfshijnë zmadhimin e bazës së argjendtë për ta bërë trofeun e Europianit të qëndrueshëm. Përveç kësaj, emrat e vendeve fituese që ishin shfaqur në bazament janë gdhendur në pjesën e pasme të trofeut, i cili peshon 8 kg dhe është 60 cm i gjatë.
Ndryshe nga origjinali, i cili ishte vepër e argjendarit Chobillon dhe më vonë u ble nga “Arthus-Bertrand” në Paris, prodhimi i ekuivalentit modern iu besua “Asprey London”.
Kjo argjendari e njohur ka një histori të gjatë të bërjes së trofeut që shtrihet deri në Kupën e Amerikës. UEFA dëshironte të përmirësonte cilësinë, por edhe madhësinë e trofeut, për të pasur një pikë qendrore për kompeticionin. U ndje se trofeu origjinal ishte shumë i vogël për ta bërë këtë.