Janë 24 kombëtare finaliste, mes tyre edhe Gjermania nikoqire, kampionia në fuqi, Italia, favoritët Franca dhe Anglia, të sigurtat Portugalia, Spanja, Belgjika dhe Kroacia, si dhe surprizat e mundshme Ukraina, Shqipëria e Skocia. Me pak fjalë, ka diçka për të gjitha shijet. Mbetet vetëm të zhyteni në lexim dhe të afroheni më shumë me udhëzuesin tonë për aventurën evropiane të Gjermanisë 2024. Kështu e nis shkrimin e vet “SportMediaset”, teksa analizon të gjithë finalistët e “Euro 2024”. Më poshtë po publikojmë “skanerin’ e grupit B, aty ku bën pjesë edhe Shqipëria jonë kuqezi:
Spanja
Jo “luftanija” e kohëve të arta, por ende një ekip për t’iu frikësuar. Trajneri De la Fuente nuk është aq i fiksuar pas lojës pozicionale sa paraardhësi i tij Luis Enrique, por nuk heq dorë nga konceptet bazë të futbollit spanjoll vitet e fundit. Fleksibiliteti i tij nuk heq dorë nga disa parime, të ndihmuara nga zakoni i lojtarëve të tij për një lloj loje të caktuar. “La Roja” mund të rreshtohet në fushë me modulin 4-3-3 ose 4-2-3-1. Përpara Unai Simon pozicionohen zakonisht mbrojtësit Carvajal, Le Normand, Laporte (ose Nacho), ndërsa në të majtë ka balotazh Grimaldo dhe Cucurella. Mesfusha luksoze me Rodri dhe Fabian Ruiz, pas treshes së mesfushorëve-sulmues të formuar nga Yamal, Pedri dhe Nico Williams, me Morata si sulmues qendror. Alternativat mes mesfushorëve dhe sulmuesve qendrorë janë Ferran Torres, Dani Olmo, Joselu dhe Oyarzabal.
Kroacia
Nënkampione bote në vitin 2018 dhe vendi i tretë më 2022. Struktura e Kroacisë është e njëjtë si gjithmonë, mosha do të ndihet edhe për të. Trajneri është si gjithmonë Dalic, në 4-3-3 e tij do të jetë Livakovic në portë. Në mbrojtje, në të djathtë është Stanisic i Bayer Leverkusenit, në qendër ka hapësirë për Sutalo dhe Pongracic, ndërsa në të majtë është një nga yjet e skuadrës, Gvardiol i Manchester City. Mesfusha i besohet Brozovic, Kovacic dhe Modric, me “gjelbërim” të përhershëm. Në sulm, me Perisic, që sapo është rikuperuar, duhet të jetë Kramaric në të majtë dhe Majer në të djathtë. Ka balotazh për sulmuesin qendror mes Petkovic dhe Budimir. Më tej në hierarki vjen Pasalic.
Italia
Kampioniae Europës në fuqi, e cila ka ndryshuar trajnerin dhe logjikën e futbollit të saj. Themelet e mbrojtjes Bonucci dhe Chiellini, Verratti në mesfushë dhe Immobile e Insigne në sulm nuk janë më aty nga triumfi i “Wembley” më 2021. Megjithatë, është Spalletti, i cili përpiqet të propozojë futbollin e tij të përshtatur për zgjedhjet individuale edhe në kombëtare. Donnarumma është gjithmonë “spiranca”, mbrojtja ka si pika referimi Darmian, Buongiorno dhe Bastoni. Në repartin e mesfushës, Di Lorenzo dhe Dimarco bëjnë krahët, me Jorginho dhe Barella në qendër (Fagioli alternativë e shkëlqyer). Formacioni axurr përfshin edhe dy mesfushorë sulmues (Chiesa dhe Pellegrini ose Frattesi), ndërsa në majë të ofensivës pozicionohet Scamacca (me Retegui si plan B në rastin e një sulmuesi të pastër, ose Raspadori, nëse trajneri vendos një ‘9’ fals).
Shqipëria
I është besuar Sylvinhos, në të kaluarën në stafin e Mancinit tek Interi dhe Tite te Brazili. Ai është trajnuar në të kaluarën nga ‘përbindësha të shenjtë’ si Wenger, Guardiola dhe Rijkaard. Trajneri brazilian sigurisht që nuk do të jetë në gjendje të propozojë një futboll total, por më shumë në pritje. Shqipëria ka shumë “italianë” në përbërjen e saj: Berisha, Djimsiti, Hysaj, Ismajli, Kumbulla, Asllani, Bajrami dhe Ramadani. Për më tepër, në 4-3-3 e Sylvinhos, në sulm ka lojtarë të nivelit të mirë si Broja, në pronësi të Chelsea dhe i huazuar 6 muajt e fundit te Fulham; Asani në krahun e djathtë, i “peshkuar” në Korenë e Jugut me metodën e algoritmit; si dhe Manaj nga Sivasspor”.