Lavdia, pengjet, si ia “vodhi” Messi “Topin e Artë”, jeta pas futbollit…; Sneijder rrëfehet për gjithçka

24 Korrik 2025
8:23
Alfred Lleshi
back button

Fitimi i “Topit të Artë” nuk ka qenë kurrë mënyra e vetme për të matur madhështinë e një futbollisti. Shumë kanë shkruar emrin në histori, pa u ngjitur asnjëherë në podiumin e çmimit individual më të famshëm në botë, edhe pse sipas mendimit të përgjithshëm e meritonin. Ndër ta, spikat emri i Wesley Sneijder.

Në vitin 2010, holandezi ishte truri i Interit të tripletës, udhëhoqi kombëtaren e tij deri në finalen e Kupës së Botës dhe përjetoi një sezon të jashtëzakonshëm. Megjithatë, nuk e fitoi “Topin e Artë”, që shkoi te argjentinasi Lionel Messi. Në këtë intervistë ekskluzive për “winwin”, ish-lojtari i Interit flet për gjithçka.

Wesley, çfarë po bën tani pas largimit nga futbolli i luajtur? A ke ndërmend të punosh si trajner apo drejtues?
Po shijoj jetën pas futbollit, kaloj më shumë kohë me familjen, merrem me projekte personale dhe luaj ndeshje me legjendat në shumë vende. Ideja për t’u bërë trajner ose drejtues teknik më ka kaluar ndër mend. Kam bërë disa aktivitete mentorimi në federatën holandeze, por nuk kam nxitim. Nëse do të vijë mundësia e duhur, me një kuptim të rëndësishëm, do ta vlerësoj me siguri.

Çfarë mendon për formatin e ri të Kupës së Botës për Klube?
E shoh si një zhvillim interesant. Më shumë skuadra do të thotë më shumë vëmendje për klubet jashtë Europës, kjo është e rëndësishme. Futbolli është global, tifozët meritojnë të shohin më shumë diversitet në nivelet më të larta. Pashë disa ndeshje në Miami dhe ishin fantastike.

Interi zhgënjeu në këtë turne dhe tifozët nuk janë të kënaqur. A je i shqetësuar pas largimit të Inzaghit?
Interi do të jetë gjithmonë në zemrën time. Sigurisht që shqetësohem kur skuadra vuan. Inzaghi ndërtoi diçka të fortë, ndaj çdo ndryshim në drejtim kërkon kohë. Gjithsesi Interi është klub me një zemër të madhe, do të ringrihet.

Çfarë mendon për largimin e Inzaghit drejt Al Hilal?
Gjithmonë është emocionuese kur një trajner largohet, sidomos pas suksesit. E kuptoj zhgënjimin e tifozëve, por futbolli është edhe biznes. Inzaghi pa një sfidë të re, duhet ta respektojmë, edhe pse na dhemb si zikaltër. I uroj më të mirat mikut tim Cristian Chivu tek Interi.

Shumë e lidhin “Topin e Artë” 2010 me emrin tënd. A të vjen keq që nuk e fitove?
Sinqerisht, po, më vjen keq. Ishte një vit i jashtëzakonshëm për mua: Champions League, dopietë trofesh në Itali, finale Botërori. Ndieja se dhashë gjithçka, por e fitoi Messi, një lojtar i madh. Fakti që njerëzit më kujtojnë për atë vit do të thotë që panë atë që bëra. Kjo është ajo që ka rëndësi.

A mendon se “Topi i Artë” nuk i jepet gjithmonë lojtarit më të mirë?
Jo gjithmonë. Ndonjëherë ka rëndësi popullariteti ose klubi ku luan. Lojtarë si Ribéry më 2013 apo Lewandowski më 2020 e meritonin.

Si do ta përshkruaje José Mourinhon? A është trajneri më i madh ndonjëherë?
Për mua, po. Ajo që bëmë me Interin më 2010 ishte historike. Mourinho na bëri të besonim se mund të mundnim këdo. Ai është më shumë se një trajner, është lider. Do ta respektoj gjithmonë.

Kombëtarja juaj në Botërorin 2010 shihej si më e mira. Pse nuk fituat?
Ishim shumë pranë. Mjaftoi një moment, një rast. Ka kaq pak ndryshim. Kishim shansin tonë, por Spanja e shfrytëzoi të vetin. Gjithsesi, jam krenar për gjithçka që bëmë. Dhamë gjithçka.

Së fundi, na trego për periudhën tënde tek Al Gharafa…
Periudha tek Al Gharafa ishte një përvojë e çmuar dhe e paharrueshme. U prita ngrohtësisht nga klubi dhe e vlerësoj mundësinë për të kontribuar në futbollin e Katarit. Jam mirënjohës për këtë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit