Portieri i kombëtares gjermane dhe i Barcelonës, Marc-André ter Stegen, vuan nga dhimbje kronike në shpinë dhe do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ai gjithashtu do të qëndrojë jashtë fushave për tre muaj, siç njoftoi në Instagram.
“Sot është një ditë e vështirë për mua. Fizikisht dhe atletikisht, ndihem në formë të shkëlqyer, megjithëse për fat të keq ende ndiej disa dhimbje. Pas diskutimeve intensive me stafin mjekësor të Barcelonës dhe ekspertët e jashtëm, mënyra më e shpejtë dhe e sigurt për t’u rikuperuar plotësisht është ndërhyrja kirurgjikale në shpinë“, tha ai.
Kjo përfaqëson një tjetër goditje për portierin 33-vjeçar, i cili u rikthye në aksion në fund të sezonit të kaluar, shtatë muaj pas operacionit në gju. Ter Stegen nuk është më pjesë e planeve të bashkatdhetarit të tij Hansi Flick, trajnerit të klubit “blaugrana”.
Kampionët spanjollë nënshkruan me portierin e Espanyol, Joan Garcia, 24 vjeç, në fillim të afatit kalimtar të verës, i cili pritet të bëhet numri 1 i tyre, me veteranin polak Wojciech Szczesny, 35 vjeç, si zëvendësues të tij pas zgjatjes së kontratës deri në vitin 2027.







