Victor Osimhen është gjithnjë e më pranë rikthimit te Galatasaray, kësaj here me transferim përfundimtar. Pas marrëveshjes me Napolin disa ditë më parë, klubi turk ka arritur tashmë akordin edhe me vetë lojtarin dhe, sipas asaj që raporton “Sky Sport”, pritet vetëm firma për ta bërë zyrtar transferimin.
Palët kanë gjetur dakordësinë pas një periudhe të gjatë negociatash dhe tani ka ardhur momenti për të firmosur kontratën. Sulmuesi nigerian, i cili sezonin e kaluar luajti në huazim te Galatasaray, do të largohet përfundimisht nga Napoli.
Detajet e marrëveshjes Napoli-Galatasaray – Klubet kishin rënë dakord prej ditësh për shumën totale prej 75 milionë euro. Nga këto, 45 milionë do të paguhen menjëherë, ndërsa 30 milionë vitin e ardhshëm. Presidenti Aurelio De Laurentiis ka vendosur edhe një klauzolë anti-Serie A, që ndalon Galatasaray ta shesë Osimhen te një klub italian gjatë dy sezoneve të ardhshme.
Pas zyrtarizimit të rikthimit të Osimhen te Galatasaray, klubi turk do të japë dritën jeshile për largimin e Álvaro Morata, i cili do të rikthehet zyrtarisht te Milani për t’u liruar dhe nënshkruar me Como. Sulmuesi spanjoll do të vihet nën urdhrat e trajnerit Cesc Fàbregas, në një tjetër lëvizje interesante për futbollin italian.







