Policia gjermane ka njoftuar se tetë persona janë arrestuar përkohësisht pas një përleshjeje mes tifozëve të Serbisë dhe Anglisë në Gelsenkirchen. Incidenti ndodhi pak para ndeshjes që kombëtaret e dy vendeve zhvilluan mbrëmë në Euro 2024.
Autoritetet thanë se incidenti i së dielës u zgjidh shpejt dhe se ata në përgjithësi ishin të kënaqur me operacionin e sigurisë rreth ndeshjes dhe masat e marra. Kjo sfidë ishte klasifikuar prej kohësh si ndeshje me rrezik të lartë nga policia për shqetësimet për dhunën e mundshme të tifozëve.
Një zyrtar i lartë i policisë tha sot se shtatë tifozë të Serbisë dhe një mbështetës i Anglisë ishin arrestuar pas përleshjes. Për më tepër, një tifoz shkoi në spital me një dëmtim në kokë, por më vonë u lirua dhe mundi të ndiqte ndeshjen.
Për momentin nuk raportohet për të lënduar të tjerë.