Nga Albjon Blloku & Endrit Kembaci*
Në një nga deklaratat më domethënëse dhe të thella që janë bërë ndonjëherë mbi zhvillimin e futbollistit, Arsène Wenger, një nga mendjet më të ndritura tekniko-taktike që ka njohur ndonjëherë futbolli, e krahasoi formimin e një futbollisti me ndërtimin e një shtëpie. Kjo metaforë nuk është thjesht figurative, por e strukturuar mbi një logjikë të saktë progresive, që përkon me fazat e zhvillimit të një futbollisti nga fëmijëria në profesionist të elitës.
Teknika, “bodrumi” i pazëvendësueshëm
Baza e futbollit, ashtu si themelet e një shtëpie, është teknika. Ajo formohet mes moshës 7 dhe 14 vjeç. Në këtë periudhë vendoset ADN-ja teknike e lojtarit; kontrolli i topit, ndjesia e hapësirës, raporti me topin, koordinimi trupor. Është faza ku futbolli mësohet në mënyrë intuitive, ku kreativiteti nuk është ende i kushtëzuar nga taktika apo rezultati, ndaj cilësia teknike shfaqet në formën më të pastër.
Wenger thotë prerazi: “Nëse nuk ke teknikë deri në moshën 14 vjeç, harroje”. Koha e ka dëshmuar se ka plotësisht të drejtë. Akademitë më prestigjioze të Europës, nga “La Masia” tek Ajax, nga Sporting Lisbona te “Clairefontaine”, janë ndërtuar mbi këtë parim: pa teknikë, nuk ka strukturë që mund të ndërtohet më pas.
Fiziku, “kati i parë” (stabiliteti)
Mes moshës 14 dhe 17 vjeç, trupi i një futbollisti të ri ndryshon. Në këtë periudhë moshore duhet të përballet me sfidat fizike të futbollit modern: shpejtësia, forca, rezistenca, balanca. Është faza ku talenti teknik teston vetveten në kushtet e intensitetit, ku diferencat fizike shpesh bëjnë dallimin mes atyre që vazhdojnë përpara dhe atyre që ndalen.
Klubet elitare sot përdorin shkencën sportive, testime të personalizuara, planifikim mikro të ngarkesave dhe të ushqyerjes për ta optimizuar këtë faze të futbollistit të ri. Sidoqoftë, në thelb, natyra duhet të bashkëpunojë me përkushtimin. Pa një nivel të pranueshëm fizik, teknika ngelet sterile.

Taktika, “kati i dytë” (të menduarit në lojë)
Nga mosha 17 vjeç e tutje, loja e futbollit bëhet më shumë mendore. Në këtë fazë, zhvillimi taktik merr rolin kryesor. Këtu kihet parasysh aftësia për të lexuar situatat, për të marrë vendime të shpejta, për të kuptuar kërkesat e skemave dhe roleve të ndryshme në fushë. Ky është momenti kur trajnerët nuk kërkojnë më thjesht talentin, por inteligjencën futbollistike.
Në futbollin modern, ku çdo centimetër dhe sekondë janë të rëndësishme, ku trajnerët mendojnë si “inxhinierë të hapësirës”, një lojtar pa formim taktik është hallkë e dobët e ekipit. Në këtë “kat të dytë”, loja e futbollit bëhet paksa si shkencë.
“Çatia”, vullneti për hapin final
Së fundmi vjen “çatia”; motivimi personal, dëshira për sukses, disiplinimi i jetës personale. Ky element i padukshëm shpesh bën dallimin mes një futbollisti të mirë dhe një kampioni. Pyetja që Wenger vendos në qendër është filozofike: Sa shumë je gati të sakrifikosh për t’u bërë ai që ëndërron? Sa shumë do të kesh sukses? A je gati të mos shkosh në disko apo lokal nate në fundjavë?
Ky është momenti ku shumë talente “bien nga çatia” jo për mungesë cilësie, por për mungesë karakteri. Nuk është rastësi që në botën e elitës qëndrojnë vetëm ata që arrijnë ta mbyllin ciklin e ndërtimit me një “çati” të qëndrueshme; me përulësi, uri për progres dhe vetëkontroll.
Konkluzioni, kush e formon futbollistin
Filozofia e Wenger nuk është thjesht një rrëfim pedagogjik. Ajo është guidë për klubet, akademitë, trajnerët dhe vetë lojtarët. Çdo fazë e zhvillimit është një hap drejt profesionalizmit, asnjëra nuk mund të anashkalohet pa rrezikuar strukturën e të gjithës. Në epokën kur shpesh fokusi vendoset vetëm mbi suksesin e menjëhershëm, kjo filozofi na rikujton se futbollisti nuk lind, por ndërtohet si një shtëpi me bazamente të forta, me mure të qëndrueshme dhe “çatinë” që e mbron jo vetëm nga stuhitë, por edhe nga iluzionet.
Akademitë e mëdha botërore, si ato të Barcelonës, Real Madridit, Bayern Munich, Ajax etj. e kanë inkorporuar këtë qasje në strategjitë e tyre. Përzgjedhja e fëmijëve, trajnimet e specializuara, programet fizike dhe taktike, por edhe monitorimi i përkushtimit e mentalitetit, janë pjesë e pandashme e një procesi rigoroz rritjeje.
Në kohën kur ndonjëherë rezultati kërkohet menjëherë, Wenger na kujton se përgatitja e lojtarit është një proces i gjatë, i ndarë në faza, ku asnjë element nuk mund të anashkalohet. Pa një bazë teknike solide, përpjekjet fizike janë të kota. Pa forcë fizike, teknika dhe taktika nuk mund të shprehen. Pa inteligjencë taktike, talenti mund të jetë i pakuptimtë në fushë. Dhe pa mentalitetin e duhur, askush nuk mund t’i përballojë stuhitë e karrierës profesionale.
* Trajnerë futbolli, “UEFA A”







