E pabesueshme, kombëtarja franceze kthehet në arenë politike. Mbappe si Thuram: Votoni kundër ekstremistëve

18 Qershor 2024
9:00
Alfred Lleshi
back button

Kylian Mbappé është me Marcus Thuram. Sulmuesi i Interit iu bëri një apel francezëve, duke kërkuar të bashkohen kundër avancimit të ekstremit të djathtë në Francë, sipas rezultatit të zgjedhjeve të fundit evropiane. Dhe në funksion të zgjedhjeve të ardhshme legjislative, në të cilat Asambleja Kombëtare, dhoma e ulët e vendit, do të rinovohet, Thuram u kërkoi njerëzve të bashkohen kundër RN (“Rassemblement National”), partisë së Marine Le Pen.

Ky pozicionim i tyre publik ka krijuar tension dhe polemika. Në konferencën për shtyp para ndeshjes Francë-Austri, Mbappé mori anën e shokut të tij të kombëtares dhe mikut të madh, Thuram, teksa mbajti një fjalim tejet politik: “Unë dhe Marcus ndajmë të njëjtat vlera. Ai shprehu mendimin e vet, unë jam në anën e tij. Ne jemi në një moment vendimtar për vendin tonë, mund të shohim qartë se si ekstremistët janë para dyerve të pushtetit. Unë iu bëj thirrje njerëzve të votojnë.

Ju kërkoj të votoni kundër ekstremistëve, kundër atyre që përçajnë. Unë dua të përfaqësoj një vend që korrespondon me vlerat e mia. Ne kemi mundësinë të zgjedhim të ardhmen e Francës. Nuk duhet të fshihemi. Shpesh themi se duhet të mos e përzieni politikën dhe futbollin, por kjo (që po ndodh në Francë) është e rëndësishme.

Shpresoj që zëri im të arrijë sa më shumë. Ne duhet të identifikohemi me vlerat e tolerancës, respektit, diversitetit. Çdo zë ka rëndësi. Shpresoj se do të bëjmë zgjedhjen e duhur dhe më 7 korrik (data e raundit të dytë të zgjedhjeve legjislative) do të jemi sërish krenarë që ta veshim këtë fanellë. Menduam të bënim diçka edhe ne, prej këtu, përpara të gjithëve dhe për të gjithë”.

Pjesa e konferencës kushtuar futbollit dhe ndeshjes ndaj Austrisë ishte minimale. Mbappé foli për rolin e tij, anësor apo qendërsulmues, ende nuk ishte e qartë, por e shmangu pyetjen e drejtpërdrejtë: “Kam folur me trajnerin dhe mund të evoluoj në pozicione të ndryshme. Jam gati të luaj kudo që të vendosë trajneri. Olimpiada e Parisit? Klubi im (Real Madridi) ka një pozicion shumë të qartë, nuk do të marr pjesë në Lojërat Olimpike në kësaj vere, kjo është e vërteta. I uroj ekipit tonë më të mirën, shpresoj ta fitojnë medaljen e artë”.

Trajneri Didier Deschamps ka zgjedhur të mos komentojë mbi çështjen politike: “E konsideroj çdo ndërhyrje timen në këtë çështje si të papërshtatshme. Lojtarët janë edhe qytetarë me ndjeshmëritë e tyre, janë të lirë të shprehen”. Megjithatë, Deschamps bëri një lëshim: “Ne përfaqësojmë gjithçka që është diversitet, bashkim, solidaritet. Ne përfaqësojmë gjithçka që mundemi. Ne jemi të bashkuar, do të bëjmë gjithçka për të mbetur kështu dhe për të siguruar që njerëzit të marrin pjesë në këtë bashkim. Në fund do të gjykohemi sipas të vërtetave të fushës”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit