Holanda e nisi me fitore aventurën e saj në Euro 2024, duke mundur 2-1 Poloninë, por kjo ishte një fitore me vuajtje. Ruud Gullit, që në këtë turne është në rolin e opinionistit, ka analizuar fitoren e skuadrës së vendit të tij.
“Në këtë kampionat europian, ne kemi shumë më shumë mbrojtës të nivelit të lartë se sulmues të nivelit të lartë. Dikur, ne ishim të njohur për sulmuesit tanë, mesfushorët dhe lojtarët e krahut”, tha ai për beIN SPORTS.
“Sot na mungon pak kjo. Xavi Simons mund të bëhet një lojtar i klasit botëror, ai është një lojtar i mirë me driblime të shkëlqyera. Gjithashtu, na mungon karakteri në fushë. Çdo vend ka probleme me këtë problem”, tha Gullit.
“Gjermania u përball me të njëjtin problem, por riktheu Toni Kroos sepse ai sjell me vete një personalitet të vërtetë. Dhe kjo na mungon. Gjithsesi, mund të shkojmë larg në këtë turne”, u shpreh Ruud Gullit.