Në fund të një nate magjike në “Air Albania”, ku Dinamo City përmbysi historinë dhe eliminoi Hajduk Splitin për t’u kualifikuar në “play off”-in e “Conference League”, Ilir Daja nuk foli thjesht si trajner fitues, por si arkitekt i një ëndrre të realizuar.
Me qetësinë e njeriut që e di mirë se çfarë ka ndërtuar dhe krenarinë e atij që e sheh mundin e shpërblyer, Daja e përshkroi këtë sukses si një nga faqet më të ndritura të historisë dinamovite. Për të, ky ishte kualifikim me shijen e vuajtjes, por edhe të lavdisë. Një histori sakrifice dhe besimi që do të kujtohet gjatë:
“Ndonjëherë kualifikimi me vuajtje të shijon më shumë. Kjo ndeshje do të mbahet mend për kualifikimin historik të Dinamos, sepse për herë të parë kalon në turin e tretë në kompeticionet europiane. Kemi bërë mirë në pjesën e parë, ku mund ta thellonim rezultatin, çka do të na jepte njëfarë qetësie, sidomos me rastin e Mandelës, përballë me portierin.
Pastaj e mori iniciativën kundërshtari, me qarkullimin e topit në zona të parrezikshme, sepse gjuajtjet e Hajdukut në portën tonë ishin të pakta. Më shumë sesa goli i barazimit ishin dy kartonë të verdhë të Karamba, një lojtar me vlera, por është vetëm 20 vjeç dhe nuk ka eksperiencë në të tilla kompeticione, sepse nuk kishte pse t’i bënte dy ndërhyrje të tilla në mesin e fushës.
Vuajtëm, sepse me një lojtar më pak edhe kundërshtari nuk kishte çfarë të humbiste, ndaj sulmoi me shumë forca. Ne duhet të dilnim nga krahët, sepse aty numri i lojtarëve ishte i barabartë. Kjo mbrëmje ishte sakrificë e madhe e lojtarëve të mi në situatë të vështirë.
E kemi treguar edhe në kampionat, edhe në ndeshjen e kupës, po në 20 minutat e fundit kemi pasur të njëjtën situatë. Ndonjëherë sakrifica e djemve shpërblehet, ky kualifikim iu shkon tifozëve, lojtarëve dhe presidentit Bardhi, i cili ka disa vite që ka investuar dhe sot Dinamo e tij gjendet në turin e tretë të ‘Conference League’. Sonte do të festojmë, nga nesër mendojmë për sprovën e radhës në këtë kompeticion”.







