Draxler për lamtumirën nga PSG: Moment shumë i vështirë për mua, e kam dashur gjithçka nga ai klub

20 Gusht 2025
8:14
Alfred Lleshi
back button

Julian Draxler dukej si një nga shumë talentet e prodhuara prej futbollit gjerman, por në moshën vetëm 31-vjeçare përfundoi duke luajtur në Katar, tek Al Ahli SC. Faji ishte sidomos i një periudhe jo të favorshme te PSG, që ia ngadalësoi rritjen.

Megjithatë, ish-lojtari i Schalke mbeti gjithmonë i lidhur me klubin parizien, aq sa i rrëfeu të përditshmes “Le Parisien” se ishte ndier shumë i lënduar kur francezët vendosën të ndaheshin prej tij:

“Nuk do të gënjej, ishte vendim i vështirë për t’u përtypur. Madje nuk u stërvita as me pjesën tjetër të skuadrës së parë. PSG ishte më shumë se një punëdhënës për mua. U dashurova me klubin, me qytetin.

Përjashtimi më dhembi, por e di gjithashtu që ky është profesioni ynë. Drejtuesit bëjnë zgjedhjet më të mira për ekipin dhe unë nuk isha më pjesë e planeve. Duhet ta pranoja, edhe pse ishte shumë e vështirë”.

Më pas shtoi: “Nuk ndihesha domosdoshmërisht më pak i aftë se lojtarët e tjerë të ekipit, që ishin pjesë e planeve, por e pranova vendimin. Nuk do të flas kurrë keq për PSG, por kjo histori ka qenë e vështirë për mua”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit