Një rekord historik është thyer. Portieri brazilian Fábio Deivson Lopes Maciel, 44 vjeç, është bërë lojtari me numrin më të madh të ndeshjeve zyrtare në futbollin profesionist. Plot 1.391 ndeshje.
Të martën në mbrëmje, duke mbrojtur portën e Fluminense në sfidën e kthimit të 1/8-ve të “Copa Sudamericana”, të fituar 2-0 kundër América de Cali, ai theu primatin që i përkiste prej vitit 1997 anglezit Peter Shilton.

Vetë Shilton, ikonë e futbollit britanik, deshi ta nderonte kolegun e tij brazilian: “Urime të mëdha Fábio për thyerjen e rekordit botëror të prezencave, të cilin kam qenë krenar ta mbaj për më shumë se 28 vite. Jam i lumtur që ky rekord mbetet mes portierëve”.
Në “Maracanã”, i mbushur me 35 mijë tifozë, legjenda e portës mori ovacione të mëdha. Më 30 shtator do të festojë 45-vjetorin e lindjes, ndërsa karriera e tij, e filluar në vitin 1997, është zhvilluar tërësisht në Brazil: 976 ndeshje me Cruzeiro (2005-2022), para se të kalonte te Fluminense, me të cilin fitoi “Copa Libertadores” më 2023.

Me gjatësi 1.88 m, Fábio është shpallur tri herë kampion kombëtar (2000, 2013, 2014) dhe ka veshur 10 herë fanellën e “Seleção” mes viteve 2002-2005. Pavarësisht moshës, ai mbetet titullar i padiskutueshëm i “Tricolor”, me të cilët ka rinovuar së fundi deri në dhjetor 2026.
FIFA nuk e ka ratifikuar ende zyrtarisht rekordin, por për botën e futbollit Fábio është “mbreti” i ri i jetëgjatësisë në fushat e blerta. Një monument i gjallë.







