“Britma e Tardellit është mbi të gjitha, një vepër arti e bukurisë sublime. Ia thashë këtë edhe kur e njoha”. Megjithatë, edhe Fabio Grosso njihet për një britmë çliruese, madje dy, në Botërorin 2006. “Ndoshta, madje tre, ekziston edhe një e fshehur ndaj Australisë, – kujton për “Il Giornale”, – kur Neill më rrëzon në zonë në minutat e fundit të ndeshjes”.
Kujtime të bukura. Sot Grosso stërvit Sassuolon, e cila po përgatitet për Serie A: “U ngjitëm në elitë si favoritë, gjë aspak e zakonshme. Sot iu kërkoj lojtarëve të mi atë që kërkojnë pronarët dhe drejtuesit, të vazhdojnë të ëndërrojnë”.
Debutimi do të jetë i vështirë, me Napolin, kampion i Italisë: “Është kundërshtar i fortë, por njëherazi jemi të vetëdijshëm për cilësitë tona”.

Ditët e fundit, gjatë turneut të tij të përgatitjeve, një tjetër “hero” i Botërorit 2006, Gennaro Gattuso, vizitoi Sassuolon: “Është një njeri i madh dhe mik i çmuar. Jam i sigurt që do të japë gjithçka, është e rëndësishme të kthehemi ata që kemi qenë gjithmonë si kombëtare”.
Të dy janë pjesë e “shkollës” së Lippit, i cili nga lojtarët e asaj kombëtareje ka prodhuar disa trajnerë: “Kam pasur zhgënjimet dhe kënaqësitë e mia. E gjitha kjo është rezultat i punës, edhe i situatave më shumë apo më pak të lumtura”.








