Protagonisti i madh i fitores së Juventusit ndaj Parmës në javën e parë të kampionatit ishte Yildiz, i shpallur në fund si “MVP” i ndeshjes, autor i dy asistimeve për David dhe Vlahovic.
“Luajtëm një ndeshje të madhe, shpresojmë të vazhdojmë kështu, – tha ai për DAZN. – David? E kisha parë që te Lille, do të na ndihmojë shumë, është shumë i fortë. Titulli? Jemi ende në fillim të sezonit, duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje”.
“Isha në vendin e duhur, në momentin e duhur”. Kështu u shpreh Gleison Bremer për DAZN, pas shpëtimit vendimtar ndaj Pellegrino, në fillim të pjesës së dytë të ndeshjes mes Juventusit dhe Parmës, të cilën bardhezinjtë e fituan me rezultatin 2-0.
“Isha pak në ankth para ndeshjes, pastaj fitova besim edhe falë shokëve të skuadrës. Titulli? Napoli ka diçka më shumë se ne, por me dëshirë dhe sakrificë mund të luftojmë si rivalë me ta”.
Qendërmbrojtësi brazilian u rikthye në fushë, në një ndeshje të Serie A, pas 10 muajsh nga dëmtimi.







