Pavarësisht fitores 2-0 kundër Kanadasë në ndeshjen hapëse të Kupës së Amerikës 2024, lojtarët e Argjentinës u ankuan për kushtet e fushës.
Emiliano Martinez, portieri i Argjentinës ka komentuar shumë ashpër:
“Fusha ishte një katastrofë, dukej si një trampolinë kur merrje topin. Ne duhet të përmirësohemi në këtë aspekt, përndryshe Kupa e Amerikës do të jetë gjithmonë në një nivel më të ulët se Kampionati Europian”.
Të njëjtin mendim ndau edhe Cuti Romero, duke nënvizuar se: “Kushtet e fushës ishin të tmerrshme, është turp të luash këtë kompeticion në një fushë kaq të keqe”.
Trajneri i kombëtares së Argjentinës, Lionel Scaloni, sulmoi organizuesit për vendosjen e ndryshimit të fushës vetëm dy ditë para ndeshjes.
“Është një gjë e mirë që fituam, përndryshe të flasim për këtë do të ishte parë si një justifikim: ne e dinim që do të luanim këtu prej shtatë muajsh, dhe ata ndryshuan barin dy ditë më parë.
“Stadiumi është i bukur, bari sintetik me siguri do të jetë spektakolar, por sinqerisht nuk është i përshtatshëm për këtë lloj lojtarësh”.
Brenda stadiumit ku zakonisht luan Atlanta United, fusha është me bar sintetik. Por ishte Argjentina ajo që kërkoi zëvendësimin e fushës me bar natyral për Kupën e Amerikës.
Por zgjidhja, e zbatuar disa ditë para ndeshjes, duket se nuk ishte e mjaftueshme për të garantuar kushte loje që ishin në lartësinë e duhur.