Ish-boksieri britanik Ricky Hatton, 46 vjec, u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Hyde (Manchester) të dielën në mëngjes, një lajm që ka tronditur botën e dorezave. Ndarja e tij nga jeta erdhi vetëm disa javë pasi njoftoi një rikthim dramatik në ring.
Ikona e boksit u gjet në shtëpinë e tij, ku aktualisht ndodhet një kordon policie që po heton ngjarjen edhe pse vdekja e tij nuk po trajtohet si e dyshimtë. Ai ishte shpallur si “boksieri i vitit 2005” nga Ring Magazine.
Një zëdhënës i policisë: “Oficerët u thirrën për të shkuar në Boëlacre Road, Hyde, Tameside, në orën 6:45 të mëngjesit sot, ku gjetën trupin e një burri 46-vjeçar. Aktualisht nuk besohet të ketë ndonjë rrethanë të dyshimtë.”
Mediat britanike sqarojnë se miqtë e boksierit ishin të shqetësuar mbrëmë, kur Hatton nuk u paraqit në një ngjarje ku merrte pjesë një nga boksierët e tij. Pasi u tërhoq nga ringu, ai ishte futur në punë si trajner.

Hatton mbajti titullin kampionë bote në peshën “light-welterweight” dhe “welter”, gjatë një karriere profesionale 15-vjeçare, ku arriti 45 fitore e 3 humbje. Dy nga këto humbje erdhën ndaj Floyd Mayweather dhe Manny Pacquiao.
Dueli i tij i fundit daton në nëntor 2012, kur dhe pësoi humbjen e tretë në karrierë ndaj Senchenko. Hatton, i konsideruar si një nga boksierët më të madhenj britanik, duhej të rikthehej në ring në dhjetor.
Hatton, i cili u vlerësua me një MBE për shërbime ndaj sportit në vitin 2007, kishte folur shpesh për problemet e tij me shëndetin mendor dhe varësinë nga droga. Ai ishte një luftëtar agresiv dhe i guximshëm, mbajti disa tituj botërorë dhe të Mbretërisë së Bashkuar. Ai kishte një djalë, Campbell, i cili u tërhoq nga boksi në moshën 24 vjeç dhe dy vajza, Millie dhe Fearne.







