Nëpërmjet faqeve të “Gazzetta dello Sport”, Arrigo Sacchi e analizoi humbjen 1-0 të Italisë ndaj Spanjës në këtë mënyrë: “Fotoja e ndeshjes është bërë shpejt, pashë një kolektiv kundër një grupi lojtarësh që enden nëpër fushë. Diferenca mes Spanjës dhe Italisë, nga ajo që pamë mbrëmë, është e madhe.
Kombëtarja e De la Fuente, – vijon Sacchi, – luan futboll dominues, ka njohuri teknike dhe taktike, di të lëvizë dhe mbi të gjitha e bën me sinkronizmat e duhura. Fatkeqësisht, Italia nuk është ende një ekip, kërkohet kohë dhe durim. Ne duhet të mësojmë shumë gjëra nga kjo disfatë. Shpresoj se do të përpiqemi të mësojmë nga gabimet e bëra pa u kapur pas supozimeve të zakonshme.
Spalletti nuk është fajtor. Ai është një trajner që ka më pak se një vit në punë, ka trashëguar një situatë të komplikuar dhe po përpiqet t’i japë një stil kombëtares sonë, që nuk e ka pasur kurrë. Serie A nuk e ndihmon, shumica e skuadrave luajnë futboll të vjetër, pak në përputhje me parimet evropiane. Lojtarët e rinj nuk po evidentohen dot për shkak të pranisë masive të të huajve. Të punosh në këto kushte është një problem serioz, i cili duhet pasur parasysh kur jepet mendim për kombëtaren”.