Ndeshja e dytë e grupit D për Austrinë dhe Poloninë përfundoi me fitoren 3-1 të të parës. Trauner zhbllokoi rezultatin e bardhë në minutën e 9-të, pra mjaft herët, duke iu dhënë krahë austriakëve. Sidoqoftë, polakët nuk u dekurajuan, e shtuan presionin dhe arritën të barazojnë në minutën e 30-të me Piatek.
Pjesa e parë u mbyll me barazimin 1-1. Fraksioni i dytë ishte edhe më luftarak, pavarësisht se u ndje dukshëm lodhja te polakët. Trajnerët ndërhynë me zëvendësime. Polonia u duk më kërkuese në fillim, por rrezikshmërinë më të madhe e kishin austriakët. Në minutën e 66-të ishte Baumgartner, ai që dyfishoi rezultatin për të tijtë.
Minutat më pas nuk e stepën Austrinë, edhe pse në epërsi, pasi nuk u tërhoq pas. Kjo bëri që polakët të hasnin vështirësi për të depërtuar dhe rrezikuar portën kundërshtare. Në minutën e 78-të,
Arnautović u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke shuar çdo shpresë të Lewandwoskit me shokë për të rikthyer barazpeshën.
Rezultati shkoi në shifrat 3-1, Austria mori tri pikët e para në këtë Europian. Pas humbjes minimale ndaj Francës, sot gjeti fitoren bindëse dhe tashmë ka të drejtë të besojë te kalimi i grupit. Për momentin, situata në grupin D është e tillë: Kryesojnë Franca, Holanda dhe Austria me nga 3 pikë, por ama “gjelat” dhe “tulipanët” do të përplasen direkt sonte, prej orës 21:00, në kuadrin e xhiros së dytë në grup. Kjo do të thotë se renditja e këtij grupi pritet të ndryshojë pas sfidës Francë-Holandë.
Kuriozitetet e ndeshjes
Ky ishte takimi i dytë mes Polonisë dhe Austrisë në një turne të madh ndërkombëtar (Europian apo Kupën e Botës), pas barazimit 1-1 në fazën e grupeve të “Euro 2008”. Kjo ishte pika e vetme e fituar nga të dyja kombëtaret në atë turne.
Austria fitoi tre nga pesë takimet e para me Poloninë midis viteve 1935 dhe 1994. Që atëherë, austriakët nuk kishin fituar asnjë nga pesë ndeshjet e ardhshme kundër këtij kundërshtari, të gjitha në ndeshjet konkurruese midis viteve 2004 dhe 2019.
Polonia humbi ndeshjen hapëse të “Euro 2024” me rezultatin 2-1 kundër Holandës, por nuk kishte pësuar asnjëherë dy humbje radhazi në një edicion të vetëm të Kampionatit Europian, deri më sot.
Polonia kishte shënuar më shumë se një gol në vetëm një nga 15 ndeshjet e saj në Kampionatin Europian, në humbjen 3-2 kundër Suedisë, në “Euro 2020”. Megjithatë, ata e kishin gjetur objektivin edhe në secilën nga shtatë ndeshjet e fundit të turneut.
Në humbjen 1-0 kundër Francës, austriakët nuk arritën të shënonin për herë të parë pas 18 ndeshjesh. Herën e fundit që ata shkuan dy ndeshje radhazi pa shënuar në një nga ndeshjet e tyre “të thata” ishte kundër Francës, në shtator 2022.
Kundër Francës, mbrojtësi austriak Max Wöber u bë lojtari i parë në historinë e Kampionatit Evropian që shënoi autogol, u ndëshkua me karton të verdhë dhe u zëvendësua. Të gjitha në të njëjtën ndeshje, për më tepër, autogoli i tij rezultoi vendimtar në fitoren e Francës.