Kylian Mbappé është pranë rrumbullaksimit të 50 golave me Real Madrid, vetëm 13 muaj pas veshjes së fanellës së bardhë. Me 48 gola të shënuar që nga ndeshja e tij e parë zyrtare, sulmuesi francez ka pasur ndikim të menjëhershëm te madrilenët, që nga debutimi në Superkupën Europiane ndaj Atalantës.
Sipas “Marca”, Mbappé e përjeton çdo ndeshje si hap drejt fitimit të Champions League, një trofe që i shpëtoi me PSG-në dhe tani është prioritet kryesor, pas triumfit të ekipit të Luis Enrique. Ai ka treguar një rregullsi të jashtëzakonshme, duke qenë shpesh golashënuesi kryesor i klubit gjatë 7 prej këtyre 13 muajve.
Për krahasim, Cristiano Ronaldo arriti 50 golat në 53 ndeshje me Real Madridin, ndërsa Mbappé mund t’i arrijë në ndeshjen e 64-të, ndoshta me një dopietë kundër O.Marseille, rivalit historik të PSG-së. Deri tani, ai ka shënuar 10 gola në 16 përballje zyrtare kundër francezëve, duke e bërë këtë sfidë mundësinë ideale për të arritur shifrën simbolike 50.







