Barcelona mund të marrë frymë lehtësisht; Lamine Yamal pritet të jetë në fushë për “El Clasico” e 26 tetorit ndaj Real Madridit. Fizioterapistët dhe stafi teknik po punojnë pa pushim për t’i rikuperuar lojtarët e dëmtuar, mes të cilëve Lamine Yamal, Raphinha, Fermín, Gavi, Joan García dhe Ter Stegen. Fokus i veçantë bie mbi talentin 18-vjeçar spanjoll, më i riu dhe një nga më premtuesit.
Trajneri Hansi Flick kishte shqetësuar tifozët duke pranuar se nuk mund të garantonte pjesëmarrjen e Yamal në “El Clasico”, por optimizmi i kujdesshëm po rritet. Sulmuesi mund të rikuperohet në kohë dhe ndoshta të luajë edhe kundër Girona pak ditë para ndeshjes kryesore ndaj Real Madridit. Lamine nuk pritet të luajë 90 minuta menjëherë, por synimi është të rikthehet në listën e lojtarëve të grumbulluar për të fituar ritëm e besim.
Ai do ta rifillojë stërvitjen me grupin më 18 tetor, duke u bërë i disponueshëm për ndeshjen e Champions League ndaj Olympiacos (21 tetor) dhe pastaj për “El Clasico” në “Bernabéu”. Për të shmangur rreziqet, Yamal nuk do të grumbullohet fare me kombëtaren spanjolle.







