Georgina Rodriguez nis aventurën si “youtuber”, konkurron me CR7 edhe në botën dixhitale

9 Tetor 2025
11:13
Alfred Lleshi
back button

Influencere, modele, sipërmarrëse, yll i Netflix, prezantuese e Sanremo dhe tani… youtubere. Georgina Rodriguez nuk ndalet së habituri fansat e saj. Partnerja e Cristiano Ronaldos sapo ka shpallur hapjen e kanalit të saj të parë në YouTube, “Georgina Gio”, hap tjetër në rrugëtimin e saj për të ndërtuar një markë personale të fuqishme. Në këtë kanal, Georgina do të ndajë video për modën, biznesin, stilin e jetesës dhe udhëtimet, si edhe momente nga jeta familjare dhe historia e saj e dashurisë me CR7.

Për ta lançuar, ajo publikoi tri video: një video mirëseardhjeje, një tjetër ku argëtohet me Ronaldon dhe ku tregon përgatitjet për paraqitjen e saj në Festivalin e Venecias. Rezultati? Mbi 24.000 abonentë në më pak se 24 orë. Me serinë e saj në Netflix dhe tashmë me kanalin në YouTube, 31-vjeçarja po zgjeron praninë e saj në nivel global, duke krijuar një identitet gjithnjë e më të pavarur nga ai i Ronaldos, edhe pse lidhja me yllin portugez mbetet pjesë e pandashme e historisë së saj.

Ndërkohë, vetë Cristiano Ronaldo është tashmë një fenomen në YouTube: kanali i tij “UR Cristiano”, i hapur në vitin 2024, arriti 1 milion abonentë në vetëm 90 minuta, një rekord historik. Sot ka mbi 76.7 milionë abonentë, duke u renditur në vendin e 32-të në botë. Tashmë që edhe Georgina ka hyrë në të njëjtin univers, çifti më i famshëm i futbollit pritet të dominojë edhe botën dixhitale, me një “garë” të re, këtë herë të mbushur me dashuri, luks dhe përmbajtje “virale”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit