Në një intervistë për kanalet zyrtare të Interit, portieri Yann Sommer dhe mbrojtësi Carlos Augusto morën pjesë në formatin “Wheel Talks”, ku iu përgjigjën shumë pyetjeve. Sommer u pyet çfarë do të bënte në një jetë tjetër: “E vështirë ta them, sepse gjithmonë kam luajtur futboll. Do më pëlqente të punoja jashtë, ndoshta si kopshtar. Jeta jashtë fushës? E kaloj me familjen dhe miqtë, i bie kitarës, më pëlqejnë sportet e tjera si basketbolli, edhe pse nuk e luaj”.
Për Interin, portieri zviceran tha: “Një klub i madh, ku është kënaqësi të luash. ‘San Siro’ dhe tifozët më japin gjithmonë emocione. Të luajturit në Itali ishte mundësi e madhe për mua. Interi ka traditë dhe lojtarë të mëdhenj”.
Për kombëtaren: “Ishte një nder i madh të luaja 12 vite me Zvicrën, të merrja pjesë në Europian dhe Botëror. Tani ka përfunduar eksperienca ime me kombëtaren, por i kujtoj me kënaqësi ato momente”.







