Real Madrid ka lëshuar komunikatën e vet pas vendimit të Gjykatës Provinciale të Madridit, duke festuar refuzimin e apelit të UEFA-s, RFEF dhe La Liga. Klubi i bardhë thekson se vendimi konfirmon se “UEFA, në çështjen e Superligës shkelte rëndë rregullat e konkurrencës së lirë të Bashkimit Europian”. Kjo gjë është në përputhje me vendimin e Gjykatës së Drejtësisë të BE.
Sipas komunikatës, ky vendim hap rrugën për të kërkuar kompensime për dëmet e konsiderueshme që klubi ka pësuar. Gjithashtu, Real Madridi shpjegon se gjatë vitit 2025 ka zhvilluar “shumë biseda me UEFA” për të gjetur zgjidhje më transparente në qeverisje, qëndrueshmëri financiare, mbrojtje të shëndetit të lojtarëve dhe përmirësim të eksperiencës së tifozëve, pa arritur ende ndonjë marrëveshje konkrete.
Në këtë kuadër, klubi njofton se do të vazhdojë të punojë “për të mirën e futbollit global dhe të tifozëve”, ndërsa do t’i kërkojë UEFA-s kompensime për dëmet e shkaktuara nga abuzimi me pozicionin e dominimit.







