Çmenduri në Austri: Verstappen e Norris nxjerrin jashtë njëri-tjetrin, triumfon Russell

30 Qershor 2024
16:28
Telesport
back button

Piloti britanik George Russell me Mercedes fitoi sot pasdite garën e Çmimit të Madh të Austrisë në Formula 1, suksesi i dytë në karrierën e tij. Ai mori kryesimin 7 xhiro nga fundi, kur Max Verstappen me Red Bull dhe Lando Norris me McLaren u përplasën mes tyre teksa duelonin për  kreun.

Në podium u ngjitën edhe Oscar Piastri me McLaren (i dyti), ndërsa në vendin e tretë u klasifikua Carlos Sainz me Ferrari. Gjithsesi, emocionet kjo garë i dhuroi në 10 xhirot e fundit, kur Norris duelonte me Verstappen. Asnjëri nuk i hapte rrugë njëri-tjetrit, ndaj kontakti dukej se ishte i paevitueshëm.

Në një kthesë dy makinat u përplasën, duke dëmtuar gomat dhe kthehen në garazh për t’i ndërruar. Norris nuk kthehet më në pistë, ndësa Verstappen e mbyll garën në vendin e pestë. Para tyre u rendit Lewis Hamilton me Mercedes (i katërti), ndërsa Charles Leclerc (Ferrari) u klasifikua në vendin e 11-të.

Një garë e prishur që në start për Leclerc, që dëmtoi turirin e makinës dhe përfundoi në fund, pa mundur dot të hyjë në zonën e pikëve. Pas Verstappen, që u klasifikua i pesti, në zonën e pikëve u renditën edhe Nico Hulkenberg (Haas), Sergio Perez (Red Bull), Kevin Magnussen (Haas), Daniel Ricciardo (RB) dhe Pierre Gasly (Alpine).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit