Piloti britanik Lewis Hamilton rikthehet te suksesi në Formula 1 pas më shumë se dy vitesh (fitorja 104 në karrierë), duke triumfuar sot pasdite në garën e Çmimit të Madh të Anglisë. 7 herë kampioni i botës bëri një paraqitje të mirë sot në pistën e Silverstone, duke triumfuar në garën e shtëpisë.
Një garë mjaft interesante, ku pati 4 pilotë të ndryshëm në krye të saj (dy pilotët e Mercedes dhe dy të McLaren), ndërkohë që edhe shiu që ra në mesin e garës solli surpriza. Gjithsesi, Hamilton arriti të triumfojë edhe falë një strategjie më të mirë të Mercedes në ndalesën e dytë, në suksesin e dytë radhazi për makinën gjermane.
Në vendin e dytë u rendit piloti holandez i Red Bull, Max Verstappen, që tri xhiro nga fundi parakaloi britanikun e McLaren, Lando Norris i treti. Këta dy pilotë këtë herë evituan kontaktet. Në vendin e katërt u rendit Oscar Piastri me McLaren, që la pas spanjollin Carlos Sainz me Ferrari. U tërhoq nga gara George Russell (Mercedes) që e nisi nga “pole”, por pati probleme me makinën e tij.
Tjetër garë anonime, madje zhgënjyese për “kokëkuqen” pavarësisht vendit të pestë me Sainz, por pa mundur të duelojë për podiumin. Shoku i tij i skuadrës, Charles Leclerc, u rendit në vendin e 15-të, në një garë me gabime dhe strategji të gabuara. Edhe makina tjetër Red Bull, ajo e Sergio Perez, zhgënjeu, në vendin e 17-të.
Në zonën e pikëve u renditën edhe Nico Hulkenberg me Haas (i gjashti), Lance Stroll e Fernando Alonso me Aston Martin (vendet 7 e 8), Alexander Albon me Williams (i nënti) dhe Yuki Tsunoda me RB (i dhjeti). Verstappen mbron kreun e renditjes, madje e thellon atë karshi rivalëve.