Më 26 mars në Varshavë, Shqipëria do të luajë një ndeshje historike në rrugën drejt Botërorit 2026, përballë një Polonie që përfaqëson pengesën më të vështirë të mundshme. Juljan Shehu, mesfushori kuqezi, foli për mediat polake me realizëm dhe respekt për rivalin, duke theksuar peshën e sfidës së “play off”-it:
“Do të jetë një ndeshje e vështirë për të dyja skuadrat. Mendoj se do të vendoset nga detajet e vogla. Polonia ka një avantazh të lehtë sepse luan në shtëpi dhe ka mbështetjen e tifozëve. Unë e di se si janë tifozët polakë, se si i përkrahin klubet, në këtë rast kombëtaren. Kjo është diçka që polakët e kanë në avantazh”.
Shehu foli edhe për rolin e tij në kombëtaren kuqezi: “Pozicioni im nuk është aq i ngjashëm, sepse në Widzew kam më shumë detyra sulmuese se sa në ekipin kombëtar… Po përpiqem të bëj më të mirën për klubin dhe për ekipin tim kombëtar”.
Sa i përket identitetit të kombëtares kuqezi, ai shtoi: “Trajneri ynë ka punuar më parë me trajnerë italianë si Mancini… Po, kemi stil italian, kjo është e vërtetë”.







