Pjesa e parë e supersfidës së javës së 25-të në Serie A, mes Interit dhe Juventusit është mbyllur në barazim 1-1. Sfida u zhbllokua në minutën e 17-të, ku pas një topi të humbur në zonë nga Jonathan David dhe asistit të Marcus Thuram, pasimi i Luis Henrique për Lautaro Martinez devijohet në portën e tij nga Andrea Cambiaso.
Në minutën e 26-të, Cambiaso shlyen gabimin dhe barazon shifrat me golin e tij, pas asistit të Weston McKennie. Pas një krosimi në zonë, mbrojtësi italian tregohet më i vëmendshëm sesa Luis Henrique dhe dërgon topin në rrjetë.
Në minutën e 35-të, Inter i afrohet golit të avantazhit me Piotr Zielinski, por ishte Gleison Bremer që shpëtoi bardhezinjtë me ndërhyrjen e tij në kohën dhe vendin e duhur. Në minutën e 42-të, Thuram godet me kokë, por Di Gregorio bën një pritje të mrekullueshme, ndërkohë që Alessandro Bastoni godet shtyllën. Pierre Kalulu merr kartonin e dytë të verdhë në pak minuta pas një kontakti me Bastonin, dhe largohet nga fusha e lojës, duke ia bërë gjërat shumë më të vështira Juventusit. Pjesa e parë mbyllet 1-1.







