Ai shënon gola të rëndë, e tërhoqi Spanjën drejt finales së Kampionatit Europian. Mbi të gjitha, Lamine Yamal mbetet në zemrat e tifozëve të tij edhe për festën që tashmë është bërë ikonë.
Në moshën 16-vjeçare, ai është ylli i ri i futbollit europian, por pavarësisht moshës shumë të re, mbetet me këmbët e vendosura fort në tokë, për të ndjekur një ëndërr më të madhe.
Lamal synon të bëhet më i miri në botë. Rruga tashmë është gjurmuar dhe për këtë kureshtja rritet gjithnjë e më shumë rreth tij. Tashmë dihet gjithçka për jetën e tij, madje edhe detajet më të çuditshme si fotoja me Leo Messin e bërë kur ishte vetëm disa muajsh (shenjë fati për disa), por ende ka një “vello misteri” për festën që demonstron te golat e shënuar.
Yamal qëndron para kamerave dhe imiton me gishta numrin 304, që mesa duket nuk ka asnjë kuptim, por përmban të gjithë historinë e jetës së tij.
304 që ai tregon çdo herë përfaqëson shifrat e fundit të kodit postar të vendit të tij të lindjes, Rocafonda (08304). Është një referencë shumë e qartë për rrënjët e tij, për vendin ku ka lindur dhe është rritur, të cilin e mban gjithmonë në zemër, edhe tani që dominon larg e gjithë Europën me fanellën e Spanjës.
Yamal lindi në Barrio, që ndodhet në Matarò, provincë e Barcelonës, e krijuar në fund të viteve 1960. Bëhet fjalë për një zonë të lashtë bujqësore. Gjatë viteve 1990 ajo mirëpriti disa familje emigrantësh nga Maroku dhe nga e gjithë Afrika e Veriut.
Midis tyre ishte edhe familja e talentit Blaugrana, i cili lindi nga një baba maroken dhe një nënë me origjinë nga Guinea Ekuatoriale. Nuk ishte një lagje si të gjitha të tjerat, duke pasur parasysh problemet e mëdha të mbipopullimit dhe mungesës së strukturave.
Rritja atje ishte e ndërlikuar për Yamal, të cilit i është dashur gjithmonë të luftojë kundër paragjykimeve në një zonë shumë modeste, në të cilën ishte gjithashtu e vështirë të ëndërroje.
Për këtë arsye tani, ndërsa është në pikën më të lartë të karrierës së tij shumë të re, me krenari iu kujton të gjithëve 304 që e mban të rrënjosur në shpirt, për të treguar me krenari rrënjët e tij.