Yamal festoi 17-vjetorin e lindjes, por tashmë ka thyer disa rekorde. Ja të gjitha “kredencialet” e yllit të Barcelonës

14 Korrik 2024
8:15
Alfred Lleshi
back button

Lamine Yamal mbushi të shtunën e 13 korrikut 17 vjeç. Një futbollist shumë i ri, por që tashmë ka thyer disa rekorde. Të dielën del në fushë në ndeshjen mes Spanjës dhe Anglisë, ku do të bëhet lojtari më i ri që ka marrë pjesë ndonjëherë në një finale të Kampionatit Evropian ose të Kupës së Botës.

Talenti spanjoll tashmë ka lënë gjurmë në skenën botërore, edhe me paraqitjen në “Euro 2024”, duke vendosur rekorde të ndryshme gjatë rrugës. Me golin e jashtëzakonshëm të barazimit kundër Francës, ai u bë golashënuesi më i ri ndonjëherë në kompeticionin kryesor europian të kombëtareve.

Ja të gjitha rekordet e vendosura nga talenti i Barcelonës:

Lojtari më i ri në Kampionatin Europian: 16 vjeç e 338 ditë (Spanjë-Kroaci  3-0, më 15.06.2024)

Golashënuesi më i ri në EUROPINA: 16 vjeç e 362 ditë (Spanjë-Francë 2-1, më 07.09.2024)

Lojtari më i ri që ka luajtur në një gjysmëfinale të Kampionatit Evropian ose të Kupës së Botës: 16 vjeç e 362 ditë (Spanjë-Francë 2-1, më 07.09.2024)

Golashënuesi më i ri në kualifikueset e EUROPIANIT: 16 vjeç e 57 ditë (Gjeorgji-Spanjë  1-7, më 08.09.2023).

Yamal është gjithashtu lojtari i dytë më i ri që ka luajtur ndonjëherë në një ndeshje të Ligës së Kampionëve të UEFA-s, pasi ka debutuar me Barcelonën në kompeticionin më të mirë të klubeve europiane vetëm 16 vjeç e 68 ditë.

Yamal luajti në të gjashtë ndeshjet e “La Roja” në “EURO 2024”, duke startuar në të gjitha, përveç ndeshjes së tretë në grupe kundër Shqipërisë. Ai ka shënuar një gol dhe ka dhënë tri asiste në këtë proces. Finalja vjen vetëm një ditë pas ditëlindjes së tij të 17-të, që do të thotë se do të thyejë rekordin e Renato Sanches, i cili ishte 18 vjeç e 328 ditë kur doli në fushë për Portugalinë, në fitoren e saj kundër Francës në finalen e “Euro 2016”.

Lojtari më i ri që ka shënuar në një finale të EUROPIANIT është Pietro Anastasi, i cili ishte 20 vjeç e 64 ditë, kur me këmbën e djathtë nga jashtë zonës dyfishoi epërsinë e Italisë kundër Jugosllavisë në finalen e vitit 1968, në Romë.

Lojtari më i ri që u shfaq në një finale të Kupës së Botës ishte sulmuesi brazilian Pelé, i cili ishte vetëm 17 vjeç e 249 ditë kur luajti në triumfin 5-2 të Brazilit ndaj Suedisë, në finalen e Botërorit 1958. Ai gjithashtu shënoi dy gola.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit