Ish-trajneri Sacchi, duke folur në “Gazzetta dello Sport”, u ndal sërish te problemi i të rinjve në Itali: “Lajmi është se Manchester City, një nga klubet më të pasura në botë, po fokusohet tek të rinjtë dhe po merret me ata që ka.
I konsideron më të mirët në treg, po shmang lojtarët e shtrenjtë në merkato. Tre të rinj të Manchester City do të stërviten së shpejti me Haaland dhe Rodri, nën drejtimin e një mjeshtri si Guardiola.
Në Itali, për fat të keq, klubet nuk janë aq largpamëse. Këtu ende ‘gjuajmë’ emra të spikatur për t’i bërë përshtypje publikut, nuk kemi përulësinë të shohim se çfarë po bëhet jashtë.
Nuk ka asgjë të keqe të kopjosh një ide të mirë që vjen nga përtej kufirit. Do të ishte një akt më se i mirëpritur përulësie, sepse do të thoshte se menaxherët tanë më në fund i kanë kuptuar gabimet e tyre dhe po përpiqen të korrigjojnë veten e tyre”.
Sacchi vazhdon: “Nëse duam të jemi konkurrues në të ardhmen, duhet të investojmë tani në sektorët e të rinjve. Është e vetmja rrugë e mundshme. Edhe në ekipet kombëtare duhet t’iu japim hapësirë”.
Më pas e mbyll me një anekdotë: “Isha menaxher i të rinjve italianë, thirra një djalë dhe klubi që i përkiste nuk donte ta ma jepte, sepse të dielën duhej të shkonte në pankinë në një ndeshje kampionati me shumë pak rëndësi.
Pyes veten nëse ai djalë mësoi më shumë i ulur në stol dhe parë të tjerët duke luajtur, apo do të kishte fituar më shumë përvojë dhe njohuri nëse do t’i përgjigjej thirrjes me Italinë”.