Portieri i Spanjës, Unai Simon, kujton emocionet e finales së Euro 2024, ku kombëtarja e tij fitoi 2-1 ndaj Anglisë, duke ngritur lart trofeun. Ai pranon se para sfidës ka qenë nervoz, por jo të gjithë ishin si ai.
“Si Nico Williams ashtu dhe Lamine Yamal ishin shumë të rëndësishëm për ne në këtë Kampionat Europian. Jo vetëm për atë që bënë në fushë, por edhe për atë që i përcjellin grupit”, u shpreh Unai Simon për mediat vendase.
Më tej, portieri i Athletic shtoi: “Këta dy fëmijë ishin afër nesh. E dija se duhej të luaja në një finale të Kampionatit Europian dhe isha nervoz në autobus. Ndërsa ata të dy po kërcenin, po shijonin çdo moment”.
“Ata e duan futbollin, e shijojnë çdo moment dhe duke i parë të jep qetësinë shpirtërore për të thënë se nuk ka nevojë të jemi nervozë. Duhet ta përballojmë jetën si ata, me gëzim, me përgjegjësi”, u shpreh Unai Simon.
Në fund, portieri i kombëtares spanjolle deklaroi: “Mendoj se është e rëndësishme të kemi lojtarë të tillë në grup, të relaksohemi pak, të heqim dorë nga pengesat dhe t’i japim rëndësinë që meriton”.