Për të gjetur një seri tjetër prej dy garash radhazi pa fitore nga Max Verstappen, duhet të ktheheni në korrik 2022. Për këtë arsye, vendi i pestë në Austri dhe ai i dytë në Angli kanë ndezur një zile të vogël alarmi te makina Red Bull.
Sigurisht renditja është e paprekshme, me +84 pikë avantazh në botërorin e pilotëve dhe +71 te konstruktorët. Gjithsesi, me 12 gara ende përpara për t’u zhvilluar, ia vlen të mos nënvlerësohen skuadrat rivale.
Ndalesa tjetër është Çmimi i Madh i Hungarisë, i cili në vitin 2023 i dha Verstappen fitoren me diferencën më të madhe mbi të dytin (+33 sekonda) si dhe rekordin e bujshëm prej 12 suksesesh radhazi.
“Vitin e kaluar ne patëm një garë të mirë në Hungari dhe për këtë arsye kemi kujtime të mira. Hungaroring është një pistë interesante dhe ne mezi presim të garojmë këtë javë. Pista është e ngushtë, e përdredhur dhe ka një sektor të dytë shumë teknik. Mbi të gjitha do të jetë shumë nxehtë”, tha Max Verstappen.
“Silverstone ishte një garë e vështirë për ne edhe nëse bënim të gjitha zgjedhjet e duhura. Kemi ende shumë për të punuar dhe përmirësuar në gjysmën e dytë të sezonit. Jam kthyer në fabrikë me ekipin për t’u përgatitur për garën tjetër, gjë që është mirë. Shpresojmë të bëjmë një garë të mirë dhe të arrijmë një rezultat të mirë ekipor”, tha piloti holandez.