Egnatia ka pësuar humbjen e tretë rresht në Abissnet Superiore. Rrogozhinasit janë mundur sot në fushën e tyre 0-2 nga Vora, sfidë e vlefshme për javën e 33-të.
Sfida u zhbllokua që në minutën e 4-të, ku pas një gafe fatale të Tandilashvili, ishte Igli Kasalla që përfitoi më së miri dhe dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar në avantazh Vorën.
Në minutën e 26-të, kryeqytetasit dyfishojnë shifrat. Kasalla realizon sërish, këtë herë nga pika e bardhë e penalltisë, pas një faulli në zonë të Zamig Aliyev ndaj Patrik Bardhit. Pjesa e parë mbyllet 0-2 për Vorën.
Në pjesën e dytë, momenti më i diskutueshëm ishte goli i shënuar nga Flamur Ruçi për Egnatian në minutën e 80-të, por që u anullua për pozicion jashtë loje. Vora fiton 0-2 dhe renditet në vendin e tetë me 35 pikë, njësoj sa Bylis dhe Tirana. Egnatia mbetet në vendin e tretë me 54 pikë. Po sot, Bylis fitoi 2-0 ndaj Teutës.







