Nga Shkodra në Gjermani, drejt ëndrrës së madhe të futbollit europian

24 Maj 2026
9:36
Telesport
back button

Shënojeni këtë emër, sepse shpejt do të flitet shumë për të në futboll. Brajen Guraj, talenti shqiptar i lindur në vitin 2008, po ndërton me shumë punë dhe sakrificë rrugën e tij në futbollin profesionist. Mbrojtësi i talentuar, i cili më 27 korrik mbush 18 vjeç, u largua nga Shqipëria që në moshën 6-vjeçare së bashku me familjen e tij, duke emigruar në Gjermani, ashtu si shumë familje shqiptare në kërkim të një jete më të mirë.

Pikërisht aty nisi edhe rrugëtimi i tij plot pasion e përkushtim në futboll. Brajeni u rrit në disa prej akademive më të mira në Gjermani, duke punuar çdo ditë me përkushtim maksimal dhe një objektiv të vetëm: të arrijë sa më lart në futbollin profesionist.

Sot aktivizohet te JVF Bremerhaven, një ndër tri ekipet më të forta të kampionatit ku bën pjesë, ndërsa konsiderohet lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën e tij. Brajen Guraj luan si mbrojtës qendre dhe mbrojtës i majtë, duke spikatur për forcën fizike, sigurinë në duele dhe prezencën në repartin defensiv. Me gjatësi 1.85 m dhe fizik shumë të fortë, ai shihet si profil modern i mbrojtësit europian.

Përveç punës me ekipin e vet, Brajen stërvitet edhe individualisht me ish-futbollistin e disa skuadrave shqiptare, Senad Lekaj, atje në Gjermani, duke synuar të përmirësohet çdo ditë e më shumë.

Edhe pse zotëron dy pasaporta, shqiptare dhe gjermane, ëndrra dhe objektivi i tij mbetet i qartë: të arrijë majat e futbollit dhe një ditë të veshë fanellën e kombëtares shqiptare, zgjedhje që nuk e vë kurrë në dyshim.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit