A e kujtoni sezonin e tripletës? Çmimi i Champions-it për Interin është -15 pikë në Serie A

21 Prill 2025
10:33
Alfred Lleshi
back button

Pas disfatës 1-0 kundër Bologna, zikaltrit kanë humbur ekskluzivitetin e kreut të Serie A, duke u arritur nga Napoli. Ishte e qartë, pas barazimit 2-2 ndaj Bayernit në Champions League, se skuadra e Inzaghit dukej fizikisht e shteruar. Ndeshja në “Dall’Ara” e tregoi këtë më shumë se fjalët: lodhje, mungesë ideje dhe në fund një gabim që nuk i shkon për shtat një pretendenti për titull.

Statistika është e pamëshirshme: 71 pikë pas 33 javësh kampionat, kundrejt 86 pikëve të sezonit të kaluar në të njëjtën pikë të Serie A. Kjo ndodh kur nuk dëshiron të heqësh dorë nga asgjë; as Champions League, as “Coppa Italia”. Por a është kjo zgjedhje e qëllimshme apo një pasojë e ambicies, që ndonjëherë shkon përtej mundësive? Kujtoni sezonin e tripletës historike…

Krahasimi me sezonin e tripletës (2009-2010) nuk është rastësor. Edhe atëherë Interi e pagoi me pikë lodhjen e garave europiane. Pas 33 javësh kampionat kishte vetëm 67 pikë, 4 më pak se këtë sezon, dhe madje një më pak se Roma, që printe. Por ajo skuadër e Mourinhos kishte një fuqi mentale të rrallë dhe diti t’i shfrytëzojë gabimet e rivalëve.

Ndryshe nga atëherë, ky Inter nuk ka të njëjtën thellësi, e mbi të gjitha, ndoshta nuk ka të njëjtin mentalitet fitues për të përballuar çdo 3 ditë ndeshje si “finale”. Me një prill të mbushur me ndeshje, është e kuptueshme që lodhja po ndikon. Dhe pikërisht kjo është dilema e madhe: a duhet sakrifikuar diçka për të fituar diçka tjetër?

Në fund, nëse Interi dëshiron të vendosë në fanellë yllin e dytë (titullin e 21-të), do t’i duhet jo vetëm të fitojë sa më shumë vetë, por edhe të shpresojë që Napoli të ndalojë diku.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit