U luajt sot java e 34-të e Abissnet Superiore, të gjitha ndeshjet u zhvilluan në të njëjtin orar. Në “Elbasan Arena”, vendasit bënë detyrën në shtëpi duke mposhtur 1-0 Bylis. Verdheblutë zhbllokuan rezultatin me ish-mesfushorin e Kombëtares tonë, Kristi Qose, i cili shënoi me kokë pas asistit të Bledar Lilës.
Në “Loro Boriçi”, Vllaznia mposhti 3-0 Dinamon. Shkodranët shënuan në pjesën e parë me Klint Qaton në minutën e 26-të, ndërsa në pjesën e dytë dyfishuan shifrat me Kevin Dodaj në minutën e 64-të dhe në fund trefishuan shifrat me Bekim Balaj.
Në Korçë, në një sfidë që vlente sa një “finale” për të dyja ekipet, Skënderbeu dhe Tirana u ndanë në barazim 1-1. Vendasit gjetën golin në minutën e 35-të me të zakonshmin Saleh Nasr, pas gafës së Kolës. Bardheblutë barazuan shifrat në fillim të pjesës së dytë në minutën e 52-të me supergolin e Ndrecës nga goditja e dënimit.
Në “Arenën e Demave”, Partizani mposhti Egnatian 1-0. Të kuqtë gjetën golin në minutën e 62-të me Albers Keko nga pika e bardhë e penalltisë.
Teuta mposhti Laçin në “Niko Dovana” 1-0. “Djemtë e Detit” fituan me rezultatin e ngushtë falë një penalltie të ekzekutuar saktë nga Matias Lloci, por shumë e kontestuar nga kurbinasit.
Përsa i përket renditjes, Egnatias dhe Dinamos në “Final Four”, i bashkohet zyrtarisht edhe Vllaznia. Ndërsa “bileta” e fundit do të diskutohet mes Partizanit dhe Elbasanit. Të kuqtë kryesojnë me një pikë më shumë se verdheblutë.
Me fitoren e sotme ndaj rivalit direkt, Teuta shkëputet nga fundi dhe renditet momentalisht në vendin e gjashtë, por sërish është në zonën e rrezikut. Pika e marrë sot në Korçë, nuk shpëton asnjë nga të dy ekipet.
Skënderbeu i shtati me 37 pikë, Tirana e teta me 36 pikë. Dy vendet e fundit mbyllen me bylis dhe Laçin. Mbeten edhe 2 javë nga përfundimi i sezonit të rregullt në Superiore.






