Ajax “ringjallet” ndeshjen e fundit, por PSV nuk fal dhe fiton titullin kampion në Holandë

18 Maj 2025
16:28
Telesport
back button

PSV fiton titullin kampion për sezonin 2024-2025 në Eredivisie, në Holandë. Nëse deri në javën e 29-të, thuajse të gjithë ishin të bindur që Ajax do të shpallej kampion pasi fitoi në përballjen direkte ndaj PSV-se dhe udhëhiqte me një diferencë prej 9 pikësh.

Por, ekipi i drejtuar nga italiani Francesco Farioli dështoi në 4 ndeshje radhazi, duke marrë 2 humbje dhe 2 barazime. Në anën tjetër, PSV e drejtuar nga Peter Bosz nuk i humbi shpresat dhe mori 5 fitore rresht, duke shfrytëzuar në mënyrën maksimale gabimet e Ajax dhe një javë para fundit kryesonin me një pikë më shumë.

Në javën e fundit të luajtur sot nuk është se pati surpriza. PSV fitoi 1-3 në transfertë ndaj Sparta Rotterdam, duke korrur kështu fitoren e 6-të rresht, fitore që i jep zyrtarisht edhe titullin kampion. Golat për PSV-në u shënuan nga Perisic 12′, Luuk de Jong 58′ dhe Tillman 84′, për vendasit barazoi përkohësisht Zechiel 52′. PSV e mbyll me 79 pikë, ndërsa Ajax me 78 pikë.

Pas 4 javëve pa fitore, Ajax u rikthye sot te fitorja ku fitoi në fushën e saj 2-0 ndaj Twente, me golat e Henderson nga goditja e dënimit dhe të zakonshmit Weghorst, por një fitore që tashmë nuk i bën punë. Ekipi i Farioli-t duhet të kënaqet me vendin e dytë.

PSV dhe Ajax shkojnë në grupet e Champions League, Feyenoord i vendit të tretë shkon në play-off për kualifikimin për në grupet e Champions-it. Utrecht i vendit të katërt shkon në grupet e Europa League. G.A. Eagles si fituese e Kupës së Holandës po ashtu ka të drejtën të marrë pjesë në grupet e Europa League.

AZ Alkmaar, Twente, Nijmegen dhe Herenven do të luajnë në play-off dhe fituesi mes tyre do të shkojë në Conference League. Përsa i përket fundit të tabelës, Williem II shkon në play-out ku do të përballet me ekipin e renditur i treti në Eredivisie 2, ndërsa Waalwijk dhe Almere City bien nga Kategoria dhe do të luajnë në Eredivisie 2.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit