Alexander-Arnold i jep lamtumirën Liverpool-it pas 20 vitesh: Vendimi më i vështirë i jetës sime

5 Maj 2025
11:35
Alfred Lleshi
back button

Pas rinovimeve të rëndësishme me Mohamed Salah dhe Virgil van Dijk, Liverpool-i shpresonte të bindte edhe Trent Alexander-Arnold që të vazhdonte kontratën. Sidoqoftë, mbrojtësi i djathtë anglez ka zgjedhur një tjetër rrugë. Ai ka bërë të ditur përmes një mesazhi në rrjetet sociale se do të largohet në fund të sezonit.

“Ky është pa dyshim vendimi më i vështirë që kam marrë ndonjëherë në jetën time, – shkroi Alexander-Arnold. – Pas 20 vitesh te Liverpool Football Club, ka ardhur momenti që të konfirmoj se do të largohem në fund të sezonit. E di që shumë prej jush pyesin pse, apo janë ndjerë të frustruar që nuk kam folur më parë, por gjithmonë qëllimi im ka qenë të përqendrohem tek interesi i skuadrës, të siguronim titullin e 20-të.

Ky klub ka qenë gjithë jeta ime, gjithë bota ime, për 20 vite. Nga akademia deri më sot, mbështetja dhe dashuria që kam ndjerë nga të gjithë, brenda dhe jashtë klubit, do të më shoqërojnë gjithmonë. Do t’ju jem gjithmonë mirënjohës”.

Më tej, Alexander-Arnold shpjegon arsyet që e shtynë drejt këtij vendimi: “Nuk kam njohur asgjë tjetër dhe kjo zgjedhje vjen nga nevoja për të përballuar një sfidë të re, për të dalë nga zona ime e rehatisë. Dua ta shtyj veten përtej kufijve të mi, si në aspektin professional, ashtu edhe në atë personal. Kam dhënë maksimumin tim çdo ditë që kam qenë pjesë e këtij klubi.

Nga zemra i falënderoj të gjithë: trajnerët e mi, drejtuesit, shokët e skuadrës, stafin dhe tifozët tanë të jashtëzakonshëm për këto 20 vite. Kam qenë me fat që i kam jetuar ëndrrat e mia këtu. Dashuria ime për këtë klub nuk do të vdesë kurrë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit