Pasi ka qenë jashtë fushave për më shumë se dy muaj për shkak të një dëmtimi në tendinën e bicepsit femoral, Alisson Becker, portieri brazilian i Liverpool-it, ka folur për gjendjen e tij dhe të ardhmen. E bëri këtë gjatë një interviste për “One Football” në Brazil. “Rikuperimi, – shpjegoi 32-vjeçari, – po shkon shumë mirë. Kanë kaluar disa javë nga dëmtimi, i cili ishte shumë delikat dhe kërkonte kujdes të veçantë. Deri tani, gjithçka po ecën sipas pritshmërive”.
Për të ardhmen e tij, Alisson shtoi: “Kam edhe dy vite e gjysmë kontratë me Liverpool-in dhe shpresoj ta respektoj plotësisht këtë angazhim. Megjithatë, në futboll asgjë nuk është e sigurt. Për çfarë do të vijë më pas, jam i hapur ndaj çdo mundësie. Një rikthim tek Internacional i Porto Alegres? I shikoj të gjitha ndeshjet e tyre. Kam kujtime të mrekullueshme nga koha që kam kaluar atje dhe dëshira për t’u rikthyer ekziston. Duhet ta pranoj”.
Në fund, Alisson komentoi ardhjen e Arne Slot në vend të Jurgen Klopp në stolin e Liverpool-it dhe shanset për ta fituar titullin e Premier League: “Më pëlqen mënyra si lidhet me lojtarët. Është një person i drejtpërdrejtë, i bindur në idetë e tij dhe shumë i qartë në komunikim. Sa i përket titullit të Premier League, i kemi cilësitë për ta synuar këtë objektiv madhor. Tani kemi nevojë për më shumë vazhdimësi, të përputhen rezultatet me performancat. Gjithsesi, ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur dhe gjithçka mund të ndodhë”.