Të shprehesh sa më mirë në një gjuhë që nuk është gjuha jote amtare, pas 84 minutash lojë dhe përpara 80 mijë spektatorëve, nuk është aspak e lehtë. Këtë e provoi në lëkurën e tij Wilton Sampaio, arbitri i ndeshjes hapëse të Botërorit 2026 mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut.
Në stadiumin “Azteca”, pas rishikimit në VAR të ndërhyrjes që solli karton të kuq për Zwane, arbitri brazilian hasi disa sekonda vështirësi teksa duhej të komunikonte vendimin e tij për lojtarët dhe publikun. Fillimisht u ngatërrua me fjalët, më pas foli një anglishte që u konsiderua nga shumëkush si vështirë e kuptueshme.
Pamjet e Mudau dhe futbollistëve të tjerë të Afrikës së Jugut, të cilët e shikonin të habitur gjyqtarin pa e kuptuar menjëherë vendimin, janë bërë tashmë “virale” në rrjetet sociale. Ata e kuptuan përfundimisht vetëm kur vetë Sampaio ngriti kartonin e kuq.
Ai ishte kartoni i dytë i kuq i mbrëmjes dhe më pas erdhi edhe i treti, rekord për një ndeshje hapëse të Kupës së Botës. Fillimisht u përjashtua Sithole për Afrikën e Jugut, më pas Zwane, ndërsa në fund të takimit karton të kuq mori edhe Montes për Meksikën.







