As Mahrez e as Mane, më i miri i Kupës së Afrikës është blerja e re e Milanit

20 Korrik 2019
9:19
back button

Milani duket sikur ka qenë pasiv këtë verë, sepse nuk ka blerë ende ndonjë emër të madh, nga ata që çmendin tifozët që pa nisur sezoni. Megjithatë, një goditje fantastike Milani duket se e ka bërë, sepse në ditët e ardhshme do të prezantojë Ismael Bennacer. 

Mesfushori i blerë nga Empoli pas bisedimeve të gjata dhe frikës nga Arsenali, që kishte prioritet për blerjen e ish-lojtarit të vet, tashmë po tregon se është lojtar i nivelit të lartë.

Pas finales së Kupës së Afrikës, fituar nga Algjeria 1-0 ndaj Senegalit, Konfederata e Futbollit Afrikan zgjodhi pikërisht Bennacer si Lojtarin më të mirë të Kupës së Afrikës. 

Një nderim i madh, në një kompeticion ku luanin yje, nga Mohamed Salah e deri te finalistët Mahrez e Sadio Mane, çka tregon se paraqitja e Bennacer gjatë turneut ishte e mrekullueshme dhe Milani buzëqesh, sepse pa e prezantuar ende mesfushori qendror vlen dy herë më shumë se para një muaji.

Ndërkaq, portieri i turneut u shpall algjeriani Rais M'Bolhi, edhe ai fantastik në Kupën e Afrikës. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit