Kristjan Asllani shënoi sërish në ndeshjen e dytë radhazi, këtë herë nga pika e bardhë (si ndaj Hellas Verona, javën e kaluar), duke kontribuar në fitoren 2-0 të Interit ndaj Torinos në transfertë. Mesfushori shqiptar foli për “Sport Mediaset”, duke theksuar rëndësinë e fitores:
“E kishim vendosur që të vinim këtu për të fituar me çdo kusht. Ia dolëm dhe jemi të kënaqur. Duhet të fitojmë, në futboll mund të ndodhë gjithçka, duhet të qëndrojmë aty pranë kreut”.
Keni treguar se nuk doni të dorëzoheni…
Absolutisht. Kemi dëshirë të fitojmë çdo ndeshje. Jemi të lumtur që erdhëm në Torino dhe treguam një paraqitje të tillë.

Goli i dytë radhazi, sërish nga penalltia dhe kundër një portieri specialist…
Statistikat personale nuk më interesojnë shumë, rëndësi ka që skuadra fiton. Kam tri vite me këtë grup dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Portieri ishte shumë i gjatë, por besoj se godita një penallti të mirë.
Çfarë shije ju ka lënë kualifikimi në finalen e Ligës së Kampionëve?
Fituam një ndeshje të vështirë dhe shumë të rëndësishme. Tani duhet të punojmë më shumë, po afrohet gjithnjë e më tepër ai moment. Ndërkohë duhet të fitojmë edhe në kampionat. Kanë mbetur dy ndeshje dhe nëse Napoli i fiton të dyja, komplimente për titullin. Sidoqoftë, ne duhet të jemi aty deri në fund.







