Asllani: Ndaj Italisë na duhet grintë dhe zemër, forca jonë e madhe janë… tifozët

13 Qershor 2024
14:23
Alfred Lleshi
back button

Ndeshja inauguruese e “Euro 2024” për kuqezinjtë tanë po afron. Të shtunën e 15 qershorit, në Dortmund, do të sfidojmë Italinë, kampione e Europës në fuqi. Sot, në konferencën për shtyp ka dalë Kristjan Asllani, një nga “italianët” e kombëtares sonë, pjesë e Interit në Serie A. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, mesfushori  u shpreh mes të tjerash:

Tek Italia ka disa lojtarë të Interit, çfarë keni biseduar me ta?
Nuk ka pasur shumë pyetje, por janë interesuar për disa lojtarë. Ata janë të fokusuar tek Italia, por kemi bërë edhe shaka. Nuk është se kemi folur shumë këto ditë. Janë lojtarë të fortë dhe i njohim, mezi po e pres ndeshjen.

Itali-Shqipëri dhe krahasimi i dy mesfushave…
Italia është një nga kombëtaret më të forta në botë edhe në këtë moment, do të presim ndeshjen dhe të shohim si do të shkojë.

Si po shkojnë përgatitjet?
Gjithçka ka shkuar mirë, ka harmoni dhe pozitivitet në kombëtare. Jemi të fokusuar te ndeshjet, po studiojmë Italinë nga videot.

Më e lehtë ndaj Italisë, pa Barella?
Është një nga mesfushorët më të mirë në botë, por ka edhe të tjerë tek Italia. Luan Frattesi, që për mua nuk ka ndryshim shumë. Italia luan si grup. Po fitoj Frattesi nuk do t’i flas për disa ditë, ashtu siç do të bëj edhe ai po të fitoj unë. Do provojmë të marrim rezultat pozitiv, forca jonë është grupi. Kemi një plus të madh që janë tifozët dhe i presim të jenë zjarr.

Ndaj Azerbajxhanit patëm disa vështirësi kur kishim presion nga kundërshtari. A do të luajmë me dy lojtarë në mesfushë, së bashku me Ramadanin, apo një mesfushë më me muskuj dhe me tre lojtarë?
Këto i vendos trajneri, ne gjithë kualifikueset i kemi luajtur me dy mesfushorë. Unë ndjehem mirë me të gjitha modulet. Në fushë duhet grintë, zemër dhe luftë, sepse ndeshja përcaktohet edhe nga këto detaje.

Cilin nga interistët e Italisë nuk do në fushë?
I dua të gjithë, sepse kanë qenë shumë profesionistë gjatë gjithë sezonit. Dua të jem edhe unë në fushë me ta. Broja mund t’iu bëjë dëm të gjitha skuadrave, është i shpejtë dhe fizik. Është i fortë dhe shpresojmë të shënojë ndonjë gol.

Broja te Milani, ndoshta derbi sezonin tjetër?
Nuk kam folur me të për këto gjëra, por shpresoj që Broja të shkojë në një skuadër që të luajë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit