Edhe pse e nisi në mënyrë perfekte sfidën duke kaluar në avantazh të dyfishtë, Real Madrid u mund për herë të katërt këtë sezon nga rivali i tyre historik, Barcelona. Pas humbjes në “El Clasico-n” e djeshme, klubi madrilen është gati të nxjerrë në shitje katër lojtarë të cilët duket se nuk kanë më vend në ekip dhe do të “sakrifikohen” për të sjellë elementë të rinj.
Gjëja pozitive është se Real Madrid mund të përfitojë plot 400 milionë euro nga shitja e këtyre katër lojtarëve. Një nga emrat më të spikatur është Aurelien Tchouameni. Mesfushori francez, i cili e filloi sezonin si një nga lojtarët më premtues, ka pasur një rënie të ndjeshme në perfomancat e tij. Në “El Clssico-n” e djeshme, performanca e tij u kritikua shumë, veçanërisht për mungesën e vendosmërisë në duelet një-me-një dhe lehtësinë me të cilën Raphinha e kalonte. Vlera aktuale e tij në treg është 80 milionë euro, por te Reali presin oferta për të në shifrat 90-100 milionë euro. Interesi për francezin është shumë i lartë sidomos nga disa nga klubet e Premier League, por nuk mungon interesi as nga liga arabe.
Fran Garcia është një tjetër lojtarë që do nxirret në shitje. Reali pret të përfitojë 15-20 milionë euro nga kartoni i tij, ekipi më i interesuar deri tani është Bournemouth. Dani Ceballos është një tjetër emër që do largohet në fund të këtij sezoni. Edhe pse kishte mundësinë e artë këtë sezon të tregonte vlerat e tij, duke pasur parasysh problemet dhe mungesat e shumta që ka pasur Real Madrid në repartin e mesfushës, sërish 28-vjeçari nuk ka arritur të bindë stafin drejtues, ndaj largimi i tij është i pashmangshëm. Reali pret oferta për të në shifrat 10-15 milionë euro, por nuk përjashtohet as mundësia e huazimit, por me të drejtë blerjeje. Një gjë është e sigurt, Dani Ceballos nuk do jetë lojtar i Realit sezonin e ri.
Lojtari i katërt që pritet t’i japë fund aventurës në Madrid është Vinicius Junior. Tashmë është e qartë që ka një krisje mes brazilianit dhe drejtuesve të Real Madridit, të cilët janë të pakënaqur me paraqitjet e Vinicius këtë sezon. Gjithashtu arsye tjetër që ka ndikuar në prishjen e marrëdhënieve janë tekat e brazilianit dhe kërkësat e tij të shumta në lidhje me rinovimin, gjë që duket se ka shtyrë drejtuesit e “Los Blancos” të mendojnë shitjen e tij. Për brazilianin ka interes të madh nga klubet arabe, të cilat janë të gatshme të ofrojnë deri në 300 milionë euro për kartonin e tij.







