Bastoni: Kam bërë luftë për t’u larguar nga Interi, Conte më tha të qëndroja

4 Prill 2025
9:35
Alfred Lleshi
back button

A e frikëson ndryshimi i ambientit (klubit) një futbollist? Pyetje e vështirë për një futbollist, sidomos kur bëhet fjalë për përvojat e tij të para, por Alessandro Bastoni ka zbuluar në podcastin “Supernova” se për të nuk ka qenë kështu, pas 11 vitesh tek Atalanta:

“Unë bëra një kalim nga Atalanta te Parma, nuk ishte hap i madh dhe nuk kisha pritshmëri për të përmbushur, sepse isha vetëm një djalosh që duhej të tregonte veten. D’Aversa më dha shumë besim, luajta mirë dhe fitova thirrjen nga Interi. Kam bërë luftë për t’u larguar nga zikaltrit, sepse aty ishin Godin dhe Skriniar në rolin tim. Trajneri Conte më tha të qëndroja dhe arrita të imponohem”.

Tani konsiderohet si një nga më të mirët në botë në rolin e tij, por si ka ndryshuar mbrojtja: “Falë trajnerëve që kam pasur, besoj se isha një nga të parët që sulmonte kaq shumë. Të kesh shokë si Mkhitaryan, që mbulojnë depërtimet e mia, ndihmon shumë.

Toloi bënte diçka të ngjashme tek Atalanta, por me të gjitha këto ndërrime rolesh dhe lëvizshmëri, mendoj se jam i pari që e interpretoj kështu këtë rol. Karakteristikat e mia ndihmojnë; më pëlqen të kem topin, ndërsa në mbrojtje nuk e ke shumë shpesh atë. Më vjen natyrshëm, sepse kam një trajner dhe shokë që e kuptojnë atë që bëj, ndërsa në kombëtare nuk është aq e thjeshtë”.

Bastoni ka treguar edhe atmosferën brenda dhomës së zhveshjes së zikaltërve: “Ndonjëherë flas, por nuk është e nevojshme, sepse të gjithë e dinë çfarë duhet të bëjnë. Jemi në një nivel aq të lartë sa kemi vetëdijen e nevojshme. Mund të them diçka për qëndrimin në fushë, por nuk kam arrogancën t’iu tregoj të tjerëve çfarë të bëjnë.

Kur kam folur ndonjëherë dhe më kanë ndaluar? Kam pasur përulësinë të di kur të flas dhe kur jo (qesh). Lautaro flet shumë, edhe Barella. Nuk kemi më atë kulturën ku vetëm lojtarët e vjetër flasin dhe të rinjtë rrinë në heshtje. Për fat të mirë, gjërat kanë ndryshuar. Kam qenë edhe në dhoma zhveshjeje ku ndodhte ndryshe”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit