Bayern Munich pranë rinovimit të rëndësishëm, Davies do të firmosë deri në vitin 2029

18 Janar 2025
8:22
Alfred Lleshi
back button

Alphonso Davies, me shumë gjasa, do të qëndrojë në Munih. Sipas informacioneve të raportuara nga “Sky Sport DE”, agjenti i kanadezit, Nick Huoseh, ka arritur praktikisht marrëveshjen me Bayern Munich për rinovimin e kontratës.

Disa detaje të rëndësishme financiare tashmë janë sqaruar, ndërsa mbetet të finalizohen disa klauzola të vogla. 24-vjeçari mund të firmosë së shpejti një kontratë të re deri në vitin 2029, duke zgjatur kështu marrëveshjen aktuale që skadon më 30 qershor 2025.

Max Eberl dhe Christoph Freund kanë punuar për këtë çështje prej muajsh, ndërkohë që Manchester United dhe Real Madridi shpresonin të bënin një goditje me parametër zero në tregun e ardhshëm veror. Dy klubet në fjalë janë informuar tashmë për zhvillimet dhe kanë shumë pak shpresa.

Në pranverën e vitit 2024, Bayerni i kishte ofruar lojtarit një kontratë deri në vitin 2029 me pagë vjetore bruto prej rreth 13-14 milionë euro, duke përfshirë bonuset. Megjithatë, Davies dhe agjenti i tij kërkonin 20 milionë euro, plus bonuse. Për këtë arsye klubi gjerman e kishte tërhequr ofertën e tij, duke rrezikuar ta humbiste lojtarin në vitin 2025 pa fituar asnjë euro.

Sidoqoftë, performanca e tij e kënaqshme e ka bindur klubin bavarez të ndryshojë mendim dhe të rihapë negociatat. Për këtë çështje u diskutua edhe të mërkurën, por duket se marrëveshja mes palëve është arritur në orët e fundit: Davies nuk do të largohet nga Gjermania.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit