Bayerni “telefonon” Wirtz, drejtori sportiv i Leverkusenit: Pavarësisht joshjeve që i bëhen, jemi të qetë

3 Mars 2025
11:08
Alfred Lleshi
back button

Para ndeshjes kundër Eintracht Frankfurtit (të cilën Leverkuseni e fitoi me rezultatin 4-1), drejtori sportiv i Bayer Leverkusen, Simon Rolfes, reagoi ndaj disa deklaratave nga kampi i Bayern Munich, që shprehnin hapur interesin për Florian Wirtz.

Bavarezët prej kohësh e ndjekin nga afër trekuartistin gjerman, i lindur më 2003, duke shpresuar ta bindin të largohet nga Bayer dhe trajneri Xabi Alonso, për t’u transferuar në Mynih dhe veshur fanellën e “Die Roten”, ku do të ribashkohej me shokun e tij të Kombëtares, Jamal Musiala.

“Kuptohet që objektivi ynë është ta transferojmë Wirtz, – deklaroi Karl-Heinz Rummenigge, anëtar i bordit drejtues të bavarezëve. – Të gjithë te Bayerni janë dakord se ai është saktësisht lojtari që duam. E kemi treguar me rastin e Harry Kane, që mund të shkojmë deri në kufijtë e mundësive tona. Dhe nëse jemi të bindur që një lojtar mund ta përmirësojë ndjeshëm Bayernin, do të përpiqemi ta realizojmë marrëveshjen”.

Drejtori sportiv i Bayer Leverkusenit, Simon Rolfes, u përgjigj ndaj këtyre deklaratave: “Që Florian është një lojtar i kërkuar në të gjithë Europën dhe që shumë persona në botën e futbollit vlerësojnë cilësitë e tij, nuk është diçka e re, madje nuk ka ndodhur vetëm javët e fundit.

I gjithë zhvillimi që ka pasur në vitet e fundit është i jashtëzakonshëm. Është vërtet mbresëlënëse sesi arrin gjithmonë të fokusohet te loja dhe aspektet vendimtare, pavarësisht gjithçkaje që thuhet për të. Për këtë arsye jam shumë i qetë në lidhje me këto çështje dhe deklarata, sepse e di shumë mirë sesi funksionon Florian”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit